E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, KQZ informon qytetarët mbi hapat e votimit

Ndërsa na ndajnë më pak se një muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe në një moment kur partitë politike kanë ndezur “motorët” e fushatës elektorale, KQZ ka dalë me një mesazh informues për qytetarët mbi hapat që duhet të ndjekin për të votuar partinë apo kandidatët e preferuar në fletën e votimit.

“Paraqitu në Qendrën e Votimit me dokumentin e identitetit, pasaportë ose letërnjoftim.

Trego dokumentin e identitetit përpara Komisionit të Qendrës së Votimit.

Komisioni i Qendrës së Votimit do të skanojë dokumentin tuaj të identitetit nëpërmjet Pajisjes së Elektronike të Identifikimit dhe më pas nënshkruaj duke lënë shenjën e gishtit.

Merr fletën e votimit dhe sigurohu që të jetë e vulosur me dy vula, në faqen që nuk janë të shënuara subjektet zgjedhore.

Shko i vetëm në dhomën e fshehtësisë bashkë me fletën e votimit

Shëno me shenjën X ose + brenda kuadratit të bardhë përbri preferencës tënde, në fletën e votimit.

Palos fletën e votimit në dhomën e fshehtësisë, në mënyrë që zgjedhja juaj të mos identifikohet dhe të paktën një nga vulat të jetë e dukshme.

Hidh fletën në kutinë e votimit dhe largohu nga Qendra e Votimit”, thuhet në postimin në rrjetin social X të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen më 11 maj. Këtë vit për të parën herë, në votim do të marrë pjesë dhe diaspora shqiptare. Kujtojmë se ditën e sotme (14 prill) ka nisur dhe shpërndarja e fletëve të para të votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›