E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria debuton në Lojërat Olimpike “Milano Cortina 2026” me Denni Xhepën

TIRANË, 11 shkurt /ATSh/ Shqipëria shënoi sot debutimin e saj në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”. Skiatori Denni Xhepa u rendit në vendin e 34-t nga 42 garues në disiplinën e Super G. Skiatori shqiptar e përfundoi garën me kohën 1:31.72.

Podiumi u dominua nga Zvicra, ku Franjo von Allmen siguroi medaljen e artë, e treta për të në këtë Olimpiadë, ndërsa vendin e dytë e zuri Ryan Cochran-Siegle i ShBA-së. Medalja e bronztë shkoi për Marco Odermatt, po nga Zvicra.

23-vjeçari Denni Xhepa bëhet shqiptari i parë që përfaqëson ngjyrat kuqezi në një garë shpejtësie në Olimpiadën Dimërore. Katër vite më parë, në Lojërat e Pekinit, ai u rendit i 28-ti, por jo në disiplinën e Super G.

Xhepa do ketë edhe dy gara të tjera në Lojërat Olimpike Dimërore, pasi më 14 shkurt do garojë në disiplinën e Sllallomit gjigant në orën 11:30 në Bormio. Gjithashtu ai do ta mbyllë garimin në Olimpiadë më 16 shkurt në disiplinën e Sllallomit, garë e cila do të fillojë në orën 10:00 në pistën e Bormios.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që vendi ynë përfaqësohet nga katër sportistë në një Olimpiadë Dimërore. Skiatorët Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti janë sportistët e Shqipërisë në “Milano Cortina 2026”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›