E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria deficitare 45 mln euro në turizëm

SHKRUAN: Blerina Hoxha 15-09-2011 11:48

Për herë të parë këtë vit në bilancin e gjashtëmujorit të parë Shqipëria del deficitare në bilancin e hyrje-daljeve të vlerave monetare me qëllim turizmin. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, mësohet se në gjashtëmujorin e parë të vitit kanë hyrë në ekonominë vendase 415 milionë euro, ndërsa shqiptarët kanë shpenzuar për vizita dhe pushime jashtë, po gjatë kësaj periudhe, plot 570 milionë euro. Humbjet për ekonominë vendase janë plot 45 milionë euro për gjashtë muaj, duke e vënë Shqipërinë për herë të parë gjatë periudhës së tranzicionit përballë këtij fenomeni. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë, por edhe jashtë saj, e kishin lajmëruar këtë situatë. Liberalizimi i vizave mësohet të ketë patur efektet themelore në daljen e vlerave monetare jashtë vendit. Në janar të këtij viti qytetarët shqiptarë nisën të lëvizin pa viza në vendet e BE. Duke qenë se edhe numri i Shqiptarëve që jetojnë në këto shtete është shumë i madh, udhëtimet nga Shqipëria jashtë kanë qenë më të dendura këtë vit, duke rritur kështu edhe daljet e vlerave monetare jashtë. Ky bilanc negativ në udhëtime ndikon negativisht në ekonominë vendase, në një kohë kur edhe zëra të tjerë që sjellin të ardhura në vendin tonë po shterojnë. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë treguan se për gjysmën e parë të këtij viti dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 342 milionë eurove. Krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2010, remitancat kanë rënë me 12%, ndërsa krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2009, rënia është 19%. Këto të dhëna dëshmojnë se fenomeni i rënies së remitancave po fiton vazhdimësi dhe është tashmë në një tendencë në ekonominë tonë. Në fakt, kjo rënie është një fenomen normal dhe që është verifikuar edhe në vendet e tjera që kanë pasur valë të mëdha emigracioni. Me kalimin e viteve, të larguarit e ndërtojnë jetën në vendet ku kanë emigruar dhe lidhjet me vendin e origjinës gradualisht zbehen. Por për Shqipërinë ky cikël ka koinciduar me krizën ekonomike që preku pothuajse të gjithë botën pas vitit 2008. Gjithashtu, rënie kanë pësuar edhe disa zëra të tjerë të bilancit të pagesave, sidomos të atyre që lidhen me investimet. Në këtë krahasim vijon të mbetet pozitive rritja e eksporteve, e cila ka sjellë e prurjet më të mëdha valutore në dy vitet e fundit. Me gjithë problematikat e momentit, eksportet dhe turizmi po shenjohen si dy sektorët të cilët po mbajnë ekonominë shqiptare me para. Ekspertët e Bankës Qendrore madje mendojnë se këto dy sektorë duhet të jenë në qendër të një strategjie të re zhvillimi ekonomik të vendit. Të njëjtat burime pohojnë se bilanci negativ në sektorin e turizmit këtë gjashtëmujor nuk do të jetë një tendencë që do të vazhdojë gjatë, për shkak se udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit do të arrijnë shumë shpejt pikën e ngopjes, duke kufizuar në këtë mënyrë edhe daljen e eurove jashtë vendit. Ndërkohë që gjithnjë e me tepër Shqipëria po pozicionohet si një vend me atraksione turistike që mund t’i sjellin vendit në të ardhmen një turizëm të qëndrueshëm.

Vitet Hyrjet Daljet Diferenca

2011 (TII) 415 -570 -45

2010 (TII) 426 420 +6

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›