E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti i ri i Sarandës, tenderi fitohet nga grekët e IONIOS SA

Ndërtimi i portit të ri të Sarandës do të përfundojë brenda 13 muajsh. Zv.ministri i Transporteve, Ernest Noka, nënshkroi kontratën e fillimit të punimeve me firmën greke IONIOS SA. Në kontratë parashikohet një vlerë fillestare prej 4.7 milionë dollarësh, të financuara nga Banka Botërore. Noka tha se ndërtimi i portit të ri të Sarandës është pjesë e strategjisë së ministrisë për zhvillimin e mëtejshëm të transportit detar. Kompania IONIOS SA u përzgjodh ndër 6 kompanitë e tjera që morën pjesë në tender. Vlera për ndërtimin e portit ishte parashikuar rreth 6.7 milionë dollarë, por kompania greke doli fituese, pasi për ndërtimin e punimeve do të shpenzojë 2 milionë dollarë më pak. Punimet përfshijnë gërryerje të vogla te sedimenteve, të natyrës argjile të butë, përgjatë boshtit të kalatës për themelet. Projekti i detajuar inxhinierik përfshin masat për mbrojtjen e mjedisit në dhe jashtë vendit nga ndotja, gjatë ekzekutimit dhe përfundimit te punimeve, të gjitha në pajtim me Ligjet dhe Rregulloret Kombëtare dhe Lokale, si dhe Konventat Ndërkombëtare që duhet të zbatohet. Kështu, detyrim i kontraktorit është të mbledhë të gjitha llojet e mbeturinave, duke përfshirë prodhimet dhe mbeturinat komunale që dalin nga aktiviteti i tij, dhe t’i transportojë ato në një vend të miratuar për shkarkim. Për më tepër, masat përfshijnë ndalimin e çdo çlirimi, ose lejimin për t’u çliruar në ajër, ujë dhe sipërfaqen e tokës në ose afërsi të vendit ndonjë rrjedhjeje apo substancë helmuese ose e dëmshme, duke marrë përsipër përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga çdo shkelje e një detyrimi të tillë. Banka Botërore po asiston Qeverinë Shqiptare (GoA) me financimin e “Projektit të Pastrimit dhe Menaxhimit të Zonës Bregdetare të integruar”, Shqipëri, me objektivin për të mbrojtur vlerat dhe produktivitetin e burimeve të bregdetit shqiptar dhe natyrës detare dhe të nxisë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Objektivat e Zhvillimit të Projektit janë të asistojnë Qeverinë Shqiptare në zhvillimin, në baza të qëndrueshme, të turizmit në bregdetin e jugut të Shqipërisë, me anën e përmirësimit të shërbimeve bashkiake dhe infrastrukturës mjedisore publike në gjendje kritike, duke ndrequr dhe ndaluar rreziqet e ndotjes nga një ish-fabrikë kimike në Porto Romano, pranë Durrësit, përmirësimin e infrastrukturës së komunitetit dhe rritjen e burimeve kulturore dhe arkitektonike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›