E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Austria nënshkruajnë planin e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes

Shqipëria dhe Austria nënshkruan të martën në Tiranë planin e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes.

Firmat përkatëse u hodhën nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi homologia e tij Ministrja Federale të Mbrojtjes të Austrisë, Klaudia Tanner.

Në konferencën e përbashkët për shtyp ministri Peleshi informoi se ky dokument shërben si udhërrëfyes mbi bashkëpunimin, koordinimin dhe shkëmbimin e eksperiencës në fushën e emergjencave civile, bashkëpunimit civilo-ushtarak, logjistikës etj.

Ministri Peleshi theksoi gjithashtu rëndësinë që ka mbështetja e Kosovës në aspiratat e saj kundrejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e paqes.

“Miqësisht i kërkova ministres Tanner, që Ministria e Mbrojtjes e Austrisë, të vijonte kontributin dhe mbështetjen e Ballkanit Perëndimor në kuadër të iniciativave ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë këtu Kosovën, si pjesë e qenësishme e rajonit dhe si një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për të qenë kështu gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha gjeopolitikisht korrekt”, u shpreh Peleshi.

Nga ana e saj, ministrja austriake e Mbrojtjes, Klaudia Tanner shprehu mbështetjen e pakursyer të vendit të saj në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministrja Tanner u ndal në rëndësinë e mbështetjes së Ballkanit Perëndimor, sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot Evropa, por edhe globi.

“Situata aktuale tregon edhe një herë se mbështetja e miqve tanë të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme. Lufta në Ukrainë na mëson të gjithëve se duhet të kujdesemi për stabilitetin pikërisht atje ku është shumë e rëndësishme, pikërisht në rajone ku janë të kërcënuar nga konfliktet dhe rreziqet e jashtme dhe pikërisht në këtë aspekt ne duhet të japim një kontribut të përbashkët për politikën tonë të sigurisë dhe stabilitetit” tha ministrja e Mbrojtjes e Austrisë.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel dypalësh, kryesisht përmes edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›