GJKKO dënon me 14 vite burg të besuarit e Rezart Taçit, sekuestrohen edhe 18 milion euro

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me me 14 vite burg Bledar Lilon dhe Artur Ballën, dy persona të besuar të ish-biznesmenit të naftës Rezart Taçi, për skemën e pastrimit të parave në vlerën 18 milionë euro.
Bledar Lilo ka qenë ish-truproja e Taçit dhe aksioner në disa kompani në Shqipëri. Ai dyshohej se ka pastruar paratë në bashkëpunim me një tjetër të besuar të Taçit, kunatin e tij, Artur Balla.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtarë të palëve, dhe pasi vlerësoi në tërësi provat e administruara gjatë gjykimit, gjykata deklaroi fajtor të pandehurin Artur Sadedin Balla për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të dispozitave e dënoi atë me 11 vite burg.
Gjykata deklaroi fajtor të pandehurin Balla, edhe për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, duke e dënuar me 2 vite burgim.
“Në bashkim të dënimeve i pandehur Artur Sadedin Balla dënohet me një dënim të vetëm prej 11 vite burgim. Të pandehurit Artur Sadedin Balla i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burgim. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Artur Sadedin Balla do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë”- thuhet në vendimin e gjykatës.
Po kështu, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor edhe Bledar Lilon, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në bazë të ligjit ai është dënuar me 10 vite burgim.
“Të pandehurit Bledar Bardhyl Lilo i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim. Llogaritja e dënimit fillon nga data e arrestimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Bledar Lilo, dhe do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë”- thuhet në vendim.
Lidhur me provat materiale të sekuestruara në kuadër të këtij procedimi si shuma monetare e sekuestruar prej 18,399,941.50 euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të shtetasit Francesco Zummo, konfiskohet dhe kalon në favor të shtetit.
Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake në masën 755,900 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, gjykata u aka ngarkuar të pandehurve.
/rtsh.al/