Shqipëria dhe Greqia nënshkruan marrëveshje për varret e ushtarëve grekë
Vetëm pak ditë më parë është sigluar në Shqipëri marrëveshja midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Republikës së Greqisë lidhur me vendprehjen e ushtarakëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës italo-greke të viteve 1940-1941.
“Fryma e bashkëpunimit të sinqertë e konstruktiv, si dhe e mirëkuptimit të dyanshëm bëri të mundur që të marrë zgjidhjen e duhur edhe një çështje e tillë e ndjeshme për të dyja vendet tona, siç është ajo e vendprehjes së ushtarakëve grekë”, - ka bërë të ditur ministria e Jashtme. Ndër të tjera, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka shprehur bindjen se siglimi i kësaj marrëveshjeje do t’i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike.
Sipas mediave greke, nuk ndryshohet numri i varrezave, pra do të jenë dy varreza, njw në Gjirokastër dhe njw nw Këlcyrë. Do të ketë ekspertë të Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen. Numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i barabartë nga palët greke dhe shqiptare dhe çdo dokumentacion do të ketë dosje dyshe, si dhe procesverbale dyshe, të shoqëruara me fotografi. Në këto komisione do të ketë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike. Varrezat do të administrohen prej Kishës Ortodokse Shqiptare vetëm në aspektin humanitar te tyre.
22 Nentor 2008