E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi bën thirrje për bashkëpunim rajonal kundër krizës ekonomike



Presidenti shqiptar, Bamir Topi, gjatë fjalës së mbajtur në Forumin rajonal të Ekonomisë, që po mbahet në qytetin e Ohrit, bëri thirrje për rritjen e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit me qëllim përballimin e krizës ekonomike me të cilën po ndeshen të gjitha vendet e BE-së dhe më gjerë. Gjatë fjalës së tij në këtë forum, përveç çështjeve ekonomike, presidenti Topi ka prekur dhe çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ai është shprehur se nuk duhet zvarritur vendosja e misionit të EULEX-it dhe se pavarësia e Kosovës tashmë është një fakt që duhet pranuar nga të gjithë.
Në fjalën e tij kreu i shtetit shqiptar theksoi se nxitja e bashkëpunimit bën të mundur që ekonomia e çdo vendi t’i rezistojë shokut ekonomik që po kalon bota mbarë. “Përpjekjet e secilit nga vendet tona për të tërhequr investimin e huaj direkt, u përfshinë në një luftë vrasëse të ofertave, të cilat u influencuan, gjithashtu, nga diferencat e krijuara nga çmimi dhe pozicioni monopol i infrastrukturës fizike të energjisë elektrike, ndërtimi i së cilës për disa vende kërkon shumë para dhe kohë”, - vazhdoi presidenti Topi, duke përmendur rastin e Shqipërisë si “viktimë” të kësaj situate. “Vitet e fundit Shqipëria ka vuajtur nga furnizimi i pasigurt me energji elektrike, që ndikoi në rritjen ekonomike, sidomos gjatë thatësirës së gjatë të vitit 2007, kur çmimet e produkteve energjetike u rritën dukshëm dhe ekonomia e vendit u përball me rritjen e kostove, me frenimin e rritjes së prodhimit dhe atë të rrjedhës së investimeve të huaja direkte”, - është shprehur Topi. Ai bëri të ditur investimet që Shqipëria po ndërmerr për të përballuar presionin që po shkakton kriza ndërkombëtare e energjisë, siç është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Malin e Zi. Në vitin 2009, sipas Topit, Shqipëria do të investojë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Presidenti Topi bëri thirrje për zhvillimin e një konkurrence të lirë dhe të ndershme në tregun rajonal, ku konkurrentët kryesore të mos jenë vetëm disa biznese, por të jenë të gjithë tregtarët dhe markat e ndryshme. Në këtë kuadër, të rritjes së konkurrencës së çdo vendi në rajon, presidenti Topi prezantoi në forumin rajonal ekonomik investimet që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në zgjerimin e insfrastrukutrës rrugore dhe portuale. Ai shtoi se investime të tilla do ta sillnin Korridorin 8, një mundësi konkrete me shumë përfitime për të gjitha vendet e rajonit. Në Forumin e pestë Rajonal Ekonomik për Europën Juglindore marrin pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi; i Kroacisë, Stipe Mesiç; i Malit të Zi, Filip Vujanoviç; i Bullgarisë, Georgi Përvanov; anëtari i Presidencës së Bosnjw-Hercegovinës, Nebojsha Radmanoviç si dhe përfaqësues të lartë të qeverive, të kompanive kryesuese, bankave dhe shoqatave afariste.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›