E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ky delegacion u faktua si partner i rëndësishëm i FA shqiptare”

Kreu i DIE, Piccotti mbyll me sukses misionin në Shqipëri. Vlerëson Ministri i Mbrojtjes Arben Imami

TIRANE – Në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua dje ceremonia e ndërrimit të shefit të Delegacionit Italian të Ekspertëve (DIE), gjeneral brigade Aldo Piccotti, i cili u zëvendësua nga kolonel Diego Regali.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i pranishëm në këtë ceremoni, tha se, “Prezenca dhe kontributi në Shqipëri i DIE, i cili filloi rreth 11 vjet më parë u mirëprit nga FA Shqiptare”.
Sipas tij, “ky delegacion përcolli mesazhin, vlerën dhe kontributin jo vetëm si ekzekutues e mbështetës financiar i veprimtarive ushtarake, por në radhë të parë si një partner i rëndësishëm i FA Shqiptare”.
“Përfitoj nga ky rast që në emër të qeverisë Shqiptare, të Ministrisë së Mbrojtjes, të FA Shqiptare dhe në emrin tim personal të falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes të Italisë, Shtabin e Përgjithshëm të FA Italiane për ndihmën e ofruar për FA Shqiptare, si dhe të uroj delegacionin DIE në Shqipëri për kryerjen me sukses të misionit të tij”, tha Imami.
Ministri Imami falënderoi gjeneral Piccottin për kontributin e tij për FA Shqiptare, duke theksuar se, “ju patët rastin të jeni prezent në momentin historik për vendin tonë, atë të anëtarësimit në NATO, që ishte rezultat jo vetëm i përpjekjeve të të gjithë popullit shqiptar, por dhe i transformimit të thellë të forcave tona të armatosura.
Gjeneral Aldo Piccotti nga ana e tij theksoi se, “ kam punuar për disa vite në Shqipëri dhe dua të nënvizoj se këtu gjeta një ambient tepër të ngrohtë e mikpritës, bashkëpunova ngushtë me ushtarakët e FA Shqiptare, me drejtuesit kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm në këto vite”.
“DIE, tha ai, ka dhënë një ndihmë të madhe për FA Shqiptare dhe për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në NATO”.
Në ceremoni përshëndeti edhe shefi i ri i DIE-s kolonel Diego Regali, shefi i Repartit të Tretë pranë Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Italiane, gjeneral major Pasquale Preziosa, si dhe zëvendësambasdori italian në Tiranë Dr. De Luigi. 
Në fund të ceremonisë u nënshkrua, Memorandumi i ri i Bashkëpunimit Ushtarak midis Italisë dhe Shqipërisë, që do të përcaktojë raportet e bashkëpunimit tekniko-ushtarak ndërmjet dy vendeve

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›