E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova bashkë në Bienalen e Venecias

Edhe Kosova ka përfaqësuesit e saj në Bienalen e 54-të të Venecias. Krahas Shqipërisë, e cila përfaqësohet me 5 artistët e rinj Anila Rubiku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Eltjon Valle dhe Driant Zeneli, Kosova përfaqësohet me dy artistë që tashmë kanë shkruar emrin e tyre në artin bashkëkohor botëror. Bëhet fjalë për Sislej Xhafan dhe Alban Mujan. Dy artistët kosovarë me punët e tyre janë përfshirë në pavijonin e artistëve nga e gjithë bota. “Njerëzit me të cilët takohem këtu janë ndryshe. Kanë një botë të tyren, në të cilën unë futem me shumë dëshirë e pasion. Më pëlqen puna me pavijone. Më pëlqejnë grupet punuese greke si dhe pavijonet gjermane dhe ato izraelite”, shprehet Alban Muja, për përvojën e tij në Venecia. Puna e tij artistike në Bienalen e Venecias përfshin pikturën, filmin, fotografinë, video instilacionet, duke mos lënë anash edhe performancat. Puna e tij është një inspirim nga e përditshmja jonë sociale-politike si dhe proceset e tranzicionit që ndodhin në këto të dyja. “Shpesh, bëj hulumtime mbi historinë dhe temat socio-politike, dhe më pas ato i lidh me pozicionin tim në Kosovë”, shprehet Muja. Ai gjithashtu tregon se kohëve të fundit po punon në një projekt që tregon sesi ndikojnë në perceptimet tona emërtimet e njerëzve, qyteteve dhe institucioneve. Albani nuk është i vetmi kosovar që merr pjesë në këtë bienale. Sislej Xhafa, artisti tjetër, i kishte ekspozuar punimet e tij në këtë bienale qysh në moshën 27-vjeçare. Tani, si 40-vjeçar, ai i kthehet bienales me një koncept të ri. “Xhaketa, dhe më shumë xhaketa, me ngjyra të errëta. Këtë herë po vij në këtë mënyrë. Ndjeshmëria ime ndaj punës reflekton një gjendje njerëzore të pakufishme. Detyrë e artistit është të nxjerrë në pah kompleksitetet e ndryshme në mënyrë më estetike”, tha Xhafa. Ai thotë se bienalja e kënaq, jo vetëm për atmosferën e bukur dhe për punën e përbashkët me artistët, por edhe për hotelin ku ai harxhon shumë orë duke bërë gjumë, ose për barin e tij të preferuar “Da Johnny”, ku ai kalon kohën më të madhe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›