Bashkim Shehu botohet në Rumani
Romani “Angelus Novus” i Bashkim Shehut, përkthyer mjeshtërisht në rumanisht nga Kopi Kyçyku, me një paraqitje të prozatorit Istref Haxhillari, është botuar edhe në Rumani dhe i ofron lexuesit të rumanishtes të dhëna të mirëfillta nga skëterra diktatoriale shqiptare, ku autori ka mbijetuar për një periudhë të gjatë. “Mbi persekutimin e diktaturës komuniste kanë shkruar autorë të mirëfilltë, - thuhet në parathënie, - po më së shumti qytetarë të thjeshtë, që shprehin mllefin e grumbulluar, zbulojnë pamje të llahtarshme të burgjeve, akuzojnë persekutorët, kërkojnë të drejtat e tyre. Në dallim nga të gjithë këta, autori i romanit “Angelus Novus” nuk akuzon direkt askënd, nuk merr përsipër të qahet e të kërkojë revansh apo rivendosjen e të drejtave të humbura në dhjetë vite burgim politik. Në morinë e bashkëvuajtësve, ai zgjedh Mark Shpendin, një verior nga Nikaj - Mërturi i largët e i humbur në Ninderlandin e Shqipërisë, njeri me mendje të pazakontë, ndonëse me shkollim minimal, lënë përgjysmë në Tiranë për motive politike. Bisedat e burgut, dialogët Shehu - Shpendi janë traktate të mirëfillta filozofike, mënyra të holla trajtese për jetën dhe vdekjen, për marrëdhëniet njerëzore dhe sistemet politike, dashurinë dhe mendimin”.
Botimi i “Angelus Novus” përfaqëson një tjetër vënie në vend, me kulturë dhe me art të zgjedhur, të së drejtës së ligjshme të autorëve të përndjekur për ta thënë fjalën “me gojën e tyre” në një zonë letrare, ku deri më tash, rëndom janë botuar e janë promovuar autorë që kanë shkruar për e në emër të vuajtjes së të tjerëve. Në vitin 2008 romani “Angelus Novus” u klasifikua në treshen e pretendentëve për çmimin e madh letrar “Balkanika” dhe humbi vendin e parë vetëm për një votë. Romani, i botuar për herë të parë në vitin 2006, është botuar edhe në serbisht e spanjisht. Botime të tjera të autorit, që jeton në Barcelonë, janë: “Rrethi”, "Mulliri që gëlltiste shpirtra", “Hija e gurit”, “Moxart, me vonese”, “Gostia”.