Debatet në gjyq shtyjnë "Masakrën e Cërrikut"
TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda u detyrua dje të shtynte seancën e radhës ndaj të akuzuarve për masakrën e Cërrikut, për shkak të debateve të shumta mes prokurorëve dhe avokatëve. Në seancën e djeshme ishte planifikuar vazhdimi i marrjes së deklarimeve nga i pandehuri Llazar Bicja, mbi ngjarjen e ndodhur në mars 1997, kur efektiva të policisë dhe Gardës së Republikës u vranë në qendër të Cërrikut, pasi u qëlluan me antitank. Gjatë pyetjes së Llazar Bicjes nga Prokurori i çështjes, Anton Martini, avokatët reaguan disa herë duke u bërë shkak për debate në seancë. Avokatët kërkuan që disa prej pyetjeve të Prokurorisë të mos pranoheshin. Sipas mbrojtësve ligjorë, pyetjet ishin formuluar jo në mënyrë të rregullt. Ndërkohë pak minuta më vonë ka nisur debati mes prokurorëve dhe avokatëve, ndërsa gjykata u detyrua që të nxjerrë jashtë mediat për të mos qenë të pranishme në situatën e krijuar në seancën e djeshme. Gjendja ka vazhduar e njëjtë, ndërkohë që edhe më pas sherri mes avokatëve dhe prokurorëve nuk ka ndaluar. Prokurori i Krimeve të Rënda ishte duke pyetur të arrestuarin Llazar Bicja për ngjarjen e ndodhur në vitin 1997. Përfaqësuesi i organit të akuzës po kërkonte deklarime nëse Llazar Bicja ka qenë i pranishëm në Mbledhjen e Komitetit të Shpëtimit gjatë trazirave në qytetin e Vlorës në vitin 1997. I arrestuari përsëriti disa herë se ka qenë në Vlorë, por për shkaqe familjare e jo për mbledhje të Komitetit të Shpëtimit. Prokurori vazhdoi me pyetjet e tij lidhur me mbledhjen e Komitetit të Shpëtimit dhe pas insistimit të tij, avokatët ndërhynë duke shkaktuar debatet mes palëve në proces. Gjashtë persona janë arrestuar në vitin 2007, me akuzën e vrasjes së oficerëve të policisë dhe të Gardës në Cërrik në mars 1997. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku grupet e armatosura i zunë pritë forcave të policisë që po shkonin për të rikthyer në funksion postën lokale të policisë, e cila ishte sulmuar nga turmat një ditë më parë, duke u shkatërruar plotësisht. Persona të caktuar kanë mobilizuar njerëzit në atë kohë, duke thënë se policia po shkonte për shtypjen e popullatës. Pas kësaj policia dhe garda u qëllua me armë dhe antitank.