E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova, bashkëpunim në promovimin e burimeve natyrore në arenën globale

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) zhvilloi një takim pune me delegacionin e Odës së Minierave të Kosovës, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv,  Mentor Demi.

Takimi, që u mbajt në Tiranë, pati fokus zhvillimin e sektorit minerar dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Diskutimet u përqendruan në rritjen e koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, për të mbështetur investitorët dhe promovuar mundësitë e zhvillimit të sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë.

Qëllimi i përbashkët i të dy palëve është promovimi i burimeve natyrore të Shqipërisë dhe Kosovës në arenën globale, duke u fokusuar në rritjen e vizibilitetit të potencialit minerar mbarëshqiptar.

Në këtë kuadër, AKBN dhe Oda e Minierave synojnë të promovojnë sektorin minerar në konferenca ndërkombëtare si PDAC në Kanada, Resourcing Tomorrow në Londër dhe FMF në Arabinë Saudite.

Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit dhe nxjerrja në pah e mundësive për investime do të jenë prioritet për të dy institucionet.

“AKBN mbetet e përkushtuar për të ndërtuar ura bashkëpunimi në rajon, duke ofruar mundësi investimi dhe duke kontribuar në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendeve tona”, tha drejtori i AKBN-së, Genci Tërpo gjatë takimit.

Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mbështetje të qëndrueshme për sektorin minerar, një nga sektorët kyç për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›