Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare në OKB
Kryeministri Sali Berisha është duke lobuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për njohjen e Kosovës, e cila do t’i mundësonte anëtarësimin në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, kryeministri Berisha theksoi se në Organizatën e Kombeve të Bashkuara së shpejti do të ketë dy shtete shqiptare pas anëtarësimit të Kosovës. “Sot Kosova është një vend që ëndrrën e saj e ka bërë realitet dhe kjo është një nga ëndrrat e gjithë kombit shqiptarë që sot e shohim Kosovën të lirë dhe të pavarur. Dhe duhet vlerësuar fakti që vizioni i Kosovës për të ardhmen është një mundësi shumë e madhe”- deklaroi Berisha.
Ai gjithashtu ka theksuar se delegacioni shqiptar ka shfrytëzuar takimet e tij për të lobuar për Kosovën në mënyrë që ajo të njihet edhe nga shtetet që hezitojnë ta njohin atë.
Kryeministri Berisha ka folur edhe për takimin e përzemërt me presidentin Obama, me ish-presidentin Bill Klinton, si dhe takimet me përfaqësues të diasporës shqiptare.