E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Integrimi nuk pranon kushte, të kapim kohën e humbur”

23-09-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli iu drejtua dje deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë me një fjalim të gjatë për votën e integrimit dhe afrimit të Shqipërisë me vendet e zhvilluara perëndimore. Topalli ftoi opozitën që të enjten e ardhshme të votojnë ligjet me 3/5 në Kuvend, pasi për integrimin nuk vendosen kushte dhe se integrimi do qëndrojë axhenda e politikës para paketave të Ruçit. “Integrimi nuk pranon kushte dhe mazhoranca nuk vendos kushte për të. Ne jemi shqiptarë, ne jemi evropianë”- iu drejtua anëtarëve të Parlamentit, Topalli, duke shtuar se axhenda e Bashkimit Evropian, kërkon sot edhe votën e saj. “Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota. Votoni. Sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Çdo deputet në këtë sallë mban përgjegjësi për integrimin. Zëri i secilit deputet të Partisë Socialiste është i rëndësishëm”, shtoi ajo. Topalli ka shtuar më pas se Shqipëria ka humbur dy vite nga bojkoti i opozitës dhe nuk e ka luksin që të humbë edhe një vit tjetër. “Ne nuk jemi një popull që rrimë duarkryq, ne jemi një popull që i bëjmë gjërat të ndodhin. Ne jemi patriotë. Nuk e bllokojmë Shqipërinë. Votoni. Sot është një ditë e veçantë. Kanë mbetur rreth 20 ditë nga publikimi i progres-raportit.  Para kemi një axhendë. S’është paketa Ruçi. Është axhenda e integrimit. Ky është kusht që raporti të jetë pozitiv. Ndoshta sot është shansi i fundit. Ligjet e axhendës kërkojnë 84 vota. Që Shqipëria të ecë drejt një stacioni të ri integrimi, varet nga opozita. Ky është fakt. Dhe askush nuk mund ta mohojë. Për fatin e keq, statusi nuk varet vetëm nga mazhoranca. Vizat vareshin nga mazhoranca. Dhe ato u hoqën. Statusi varet nga opozita. Sot, pa votën “pro”, tuajën të nderuar kolegë Shqipëria mund të pengohet. Unë kam respekt për burrat. Burrat e mbajnë fjalën. Ndaj ne themi “fjala e burrit”. Burrat nuk gënjejnë, të paktën kështu thuhet”- u shpreh Topalli. Ajo theksoi se 3 javë më parë, z. Rama tha se do të votojmë, por 3-ditë më parë, z. Rama tha të hiqen nga axhenda, pra nuk do të votojmë. “Sot, unë ju drejtohem ju zotërinj deputetë. Ne duhet të punojmë bashkë. Dhe kjo është e mundur. Ne vijmë nga parti të ndryshme, nga zona të ndryshme, nga histori të ndryshme. Por ne jemi shqiptarë. Le të jemi të ndershëm me veten. Ne rrimë bashkë me njëri-tjetrin. Ne diskutojmë me njëri-tjetrin. Ne dimë të punojmë me njëri-tjetrin. Kemi bërë ndryshime të mëdha në ligje, 3 vite më parë. Ne jemi të hapur për t’ju dëgjuar. Ne do të shqyrtojmë me seriozitet propozimet tuaja edhe për Rregulloren e Kuvendit. Jozefina Topalli ka firmosur menjëherë për veprim, sapo ka mbërritur propozimi në zyrën time. Integrimi nuk pranon kushte. Ne nuk vendosim kushte për integrimin. Ne duam të rrisim standardet. Ne nuk vendosim kushte për Shqipërinë. Ne jemi shqiptarë. Ne jemi evropianë”- tha ajo, duke i kujtuar opozitës se mazhoranca ka bërë oferta, oferta të cilat kur kjo mazhorancë ishte në opozitë nuk ndodhnin. “Oferta që ju të sillni emrin e Avokatit të Popullit është unike. Nuk ndodh kund. T’i opozitë propozo, unë mazhorancë votoj. Oferta, që opozita bazuar në rekomandimet të ODIHR të propozojë e mazhoranca  të votojë është unike. Nuk ndodh kund në botë. Kryetari i Grupit Parlamentar, z. Astrit Patozi zyrtarisht Ju ka ofruar “t’i kërkojmë ODIHR të na asistojë”. Kjo është një tjetër garanci për opozitën. Por përgjigje nuk ka. Axhenda e integrimit, kërkon votën tuaj”- deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit  ftoi opozitën të shprehë votën “pro” për ligje si ai për Gjykatën  Administrative, Avokatin e Popullit, Komisionin për Reformën Zgjedhore. “Duhet të pyesim veten, qoftë për një sekondë. Ç’është më e mira për Shqipërinë jo thjesht ç’është më e mira ime, (në fakt nuk është as e mira juaj). Shqipëria ka humbur 2 vite nga bllokimi  e bojkoti. Nga 12 tetori na ndajnë 20 ditë. Nuk mund të presim më. Sot Shqipëria, nuk ka luksin të humbë edhe një vit tjetër. Jemi të vonuar. Bojkoti ka dëmtuar.
Ne nuk jemi një popull që rrimë duarkryq. Ne jemi shqiptarë. Ne bëjmë që gjërat të ndodhin. Jemi më të mëdhenj se vogëlsitë e politikës. Ne jemi patriotë  e jemi të përgjegjshëm. Ne do të shkruajmë fatin tonë. Mos bllokoni Shqipërinë. Tani është në dorën tuaj. Votoni!”- mbylli fjalën e saj dje në Kuvendin e Shqipërisë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›