E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Opozita votoi kundër fatit të shqiptarëve. Sot në Bruksel takimi i fundit BE-Shqipëri për progres-raportin

23-09-2011 / Gazeta 55

Ministrja e Integrimit Evropian Majlinda Bregu e cilësoi dje atentat ndaj proceseve të integrimit evropian, votën e opozitës kundër ligjeve me shumicë të cilësuar. Reagimi i ministres vjen në një kohë kur sot në Bruksel pala shqiptare dhe ajo evropiane do zhvillojnë takimin e fundit për progres-raportin e Komisionit Evropian, i cili i dorëzohet autoritete shqiptare më 12 tetor. Nga seanca plenare, ministrja Bregu shprehu shqetësimin për qëndrimin e opozitës, ndërsa i bëri të ditur kësaj të fundit se do mbajë përgjegjësi për çdo notë negative të Brukselit në progres-raportin e KE. “Kemi ardhur sot në parlament me idenë, dëshirën dhe shpresën që sot të gjithë së bashku do të votonim ligjet me 3/5: së pari duke uruar për një komoditet timin personal dhe profesional në pozicionin që mbaj. Së dyti, për një dëshirë të mirë dhe një ndjenjë krenarie për të gjithë ne dhe shqiptarët në takimin përfundimtar që kam nesër në Bruksel për progres-raportin, ku do të mund të prezantohesha denjësisht me një lajm të mirë. Ju siguroj që sa herë në këto 2 vjet, kam patur takime me përfaqësues të Komisionit Europian apo me përfaqësues të vendeve anëtare, kam qenë më shumë se asnjëherë tjetër në situatën më pak të rehatshme të mundshme dhe kjo për arsyen e vetme, sepse më është dashur të shpjegoj absurdin tuaj të pashpjegueshëm. Sidoqoftë 12 pikat që u vendosën si prioritete para nesh vitin e kaluar, nuk ishin detyrime që duhet t’i plotësonim patjetër, sepse na i caktoi Brukseli si të tilla, ishin pjesë e punës dhe funksionit të secilit prej nesh. Një detyrë po aq sa e rëndësishme për çdo deputet të mazhoracës, ashtu edhe të opozitës. Ju vini në parlament dhe keni për detyrë të votoni ose të mos votoni ligjet, të votoni “pro” apo të votoni kundër, por asnjëherë me mendimin dhe projektin që të mos konsideroni asgjë. Gjithsesi, nuk kam surprizë për këtë që ndodhi sot, madje më vjen mirë të them që për asnjë nga ne nuk ishte surprizë dhe nuk ishte habi që nuk votuat. Por, një ndjesi duhet t’jua them: Një nga kolegët e mi sot në sallë, kur po fliste z.Ruçi, tha: “kjo është hata”!”- u shpreh Bregu. Ajo theksoi se “falë” kontributit të opozitës me votë negative në Kuvend, Shqipëria rrezikon të mos marrë statusin e vendit kandidat për të dytin vit me radhë. Por, sipas Bregut kjo nuk është gjëma më e madhe. Sipas saj, hataja e kësaj opozite është se po voton kundër fatit të shqiptarëve. “Nuk është hata fakti që Shqipëria po humbet për herë të dytë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat, sepse historia jonë e integrimit dhe e vendeve të tjera është e mbushur me komplekse dhe probleme të tilla, por e dini se cila është hataja më e madhe? Që ju dhe sot po demonstroni që votoni kundër fatit të shqiptarëve, votoni një projekt tërësisht tuajin, i cili mesa duket, është i vetmi projekt i kursit të ri antikombëtar dhe antishqiptar”- deklaroi më tej ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›