E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Rama tregoi se me “kursin e ri” po vazhdon avazin e vjetër, thikë pas shpine shqiptarëve si me “vizat”

23-09-2011 / Gazeta 55

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi

“Opozita po bllokon realizimin e reformave, kur ajo duhet të bashkëpunonte për integrimin e vendit”. Kështu u shpreh dje në seancë plenare kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, duke shtuar se në fakt, integrimi duhet të jetë parësor për çdo parti politike, por për Partinë Socialiste vlen e kundërta. Patozi tha se seanca plenare pritej të shërbente për një maturi dhe konstruktivitet të opozitës në dobi të reformave dhe angazhimit serioz në rrugën e integrimit, por fatkeqësisht ajo mbetet e njëjta, dredharake dhe me thikë pas shpine shqiptarëve. Sipas Patozit, shumica e rekomandimeve të Bashkimit Evropian, presin bashkëpunimin e opozitës, pikërisht në sallën e parlamentit. “Sot të gjithë prisnin një përgjigje, nëse opozita i ka seriozisht apo jo deklaratat përgjëruese për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Publiku priste sot një provë, nëse i ashtuquajturi kurs i ri i Partisë Socialiste, është një realitet, apo një taktikë dredharake për të fshehur të njëjtën thikë, që u ngul pas shpine gjatë procesit të liberalizimit të vizave. Sepse ne, partitë politike, politikanët dhe deputetët, nuk gjykohemi dhe vlerësohemi për ato që themi, por kryesisht për ato që bëjmë. Sot ishte rasti që të jepej të paktën një sinjal, se integrimi është agjenda jonë kombëtare, se përpara saj interesat e partive janë të papërfillshme, se i kemi lënë pas jo vetëm stinët e bojkoteve dhe lëvizjeve revolucionare, por edhe debatet shterpë në parlament dhe jashtë tij. Se ajo që shkruhet në programin e të gjitha partive për integrimin, se ajo që shfaqet në rezultatet e të gjitha sondazheve, ku shqiptarët rezultojnë ndër më të eturit për Bashkimin Europian, është udhërrëfyesi i vërtetë politik, jo vetëm i mazhorancës, por edhe i opozitës. Sot duhet të ishte dita që partnerët tanë europianë të shihnin një shenjë se 12 detyrat e shtëpisë që na lanë në fund të vitit të shkuar, pas zhgënjimit për ngërçin artificial, që shkaktoi sindromi i kutisë, kanë nisur të plotësohen. Siç të gjithë e dimë, shumica e këtyre rekomandimeve presin bashkëpunimin e opozitës, pikërisht këtu në parlament”- u shpreh Patozi. Ai theksoi se nuk duhet të kishte asnjë arsye në botë që disa prej Kodeve të Republikës të mos miratohen në seancë, sepse nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë asnjë pretendim për ndonjë nuancë politike në shqyrtimin e tyre. Dhe në fakt, askush nga Partia Socialiste nuk shfaqi ndonjë rezervë për miratimin e Avokatit të Popullit, ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore apo dhe për ligjin për Gjykatën Administrative
Ai theksoi se sot politika shqiptare ka një tjetër mundësi, dhe le të shtyhen për pak më vonë në kalendarin e kuvendit, kodet e tjera, që opozita pretendon se duhet të rikalojnë në komisione. “Dhe të votojmë Kodin Rrugor, që nuk ka nevojë të rivotohet. Nuk besoj se ata socialistët që ngritën dorën atje e bënë këtë për një ligj “rroma përtoma”. Do të ishte një gjest i mirëpritur që keni ndërmend të bashkëpunoni për integrimin. Rama thotë se beteja e PS-së këtë javë do të përqendrohet tek plehrat. Për ne, me pak vullnet do të mjaftonte një javë për të përmbushur shumicën e detyrimeve. Mazhoranca nga ana e saj është e gatshme të bashkëpunojë për integrimin. Për ne, integrimi mbetet kryeçështje kombëtare, një kryenegociatë”- tha ai. Duke theksuar më pas se kryesocialisti Edi Rama e urren parlamentin, pasi ai sheh në të humbjen e tij. “Ai ka bërë premtime të kota që nuk përkojnë me një opozitë serioze”, tha Patozi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›