“Procesi shumë i rëndësishëm për qytetarët e Tiranës, i jep fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë”
Bashkia e Tiranës nënshkruan me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit memorandumin për hipotekimin e apartamenteve në Tiranë
“Vetë qyteti është privuar nga një shumë 500 deri në 700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente të pa hipotekuara, që sot janë thjesht tulla, beton, dritare dhe mobilie, por që nesër me përfundimin e këtij procesi do të jenë jo vetëm pasuri për qytetarët, e regjistruar në emër të tyre, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe punësim”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha nënshkroi dje një memorandum mirëkuptimi me Ministrin e Drejtësisë, Eduart Halimi, dhe me Ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, për zgjidhjen e problemit të hipotekimit të apartamenteve në kryeqytet.
Memorandumi është një instrument ligjor që do të shërbejë për pajisjen me certifikatën e pronësisë të mijëra qytetarëve në Tiranë që jetojnë në banesa ende të pa hipotekuara.
Hipotekimi i apartamenteve është një nga premtimet më të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës.
Bashkia e Tiranës do të angazhohet në dhënien e lejeve të shfrytëzimit, çka është momenti më i rëndësishëm për pajisjen me certifikatën e pronësisë.
Ndërkohë, memorandumi i nënshkruar sot është një dokument ligjor që garanton bashkëpunimin me pushtetin qendror, pika tjetër e rëndësishme e procesit të pajisjes me hipoteka.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit, Kryetari i bashkisë Lulzim Basha e vlerësoi këtë ngjarje si të veçantë, jo vetëm nga prania e dy ministrave në Bashkinë e Tiranës, Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi dhe Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi, por edhe për nënshkrimin e një instrumenti shumë të rëndësishëm, për të realizuar një nga premtimet kryesore të Bashkisë së Tiranës, hipotekimin e të gjithë apartamenteve, ndërtesave, e banesave të pa hipotekuara.
“Ky proces është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Tiranës. Së pari, i jep fund deprivimit të padrejtë nga titulli i pronësisë, të atyre mijëra familjeve që kanë paguar apartamentet ku jetojnë, në mirëbesim se këto apartamente të ndërtuara me leje nga Bashkia e Tiranës, një ditë do të hipotekoheshin dhe do të regjistroheshin si pasuri e tyre, në emër të tyre, për të qenë më vonë instrumente financiarë të ekonomisë së tyre. Së dyti, vetë qyteti është privuar nga një shumë 500 deri në 700 milionë euro, shumë kolaterali që përfaqësojnë këto apartamente të pa hipotekuara, që sot janë thjesht tulla, beton, dritare dhe mobilie, por që nesër me përfundimin e këtij procesi do të jenë jo vetëm pasuri për qytetarët, e regjistruar në emër të tyre, por edhe një kolateral i fuqishëm në bankat e qytetit të Tiranës dhe një garanci për investime, për rritje ekonomike dhe punësim”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku premtoi se bashkia do të marrë përgjegjësitë e veta, falë edhe bashkëpunimit me është Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit.
“Lejet e shfrytëzimit, me arsye dhe pa arsye, kanë mbetur peng i mungesës së vullnetit dhe i mungesës së ndjeshmërisë ndaj këtij problemi, mungesës së ndjeshmërisë për qytetarët e Tiranës. Në zgjidhjen e këtij problemi është e domosdoshme që Bashkia të ketë një bashkëpunim sa më të ngushtë, efikas, jo burokratik me institucione të tjera që janë aksionare, në forma, mënyra e momente të ndryshme të procesit të regjistrimit, siç është Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Në këtë bashkëpunim qëndron edhe çelësi tjetër i zgjidhjes së problemit brenda një kohe shumë të shkurtër. Prandaj duke garantuar këto dy institucione të qeverisjes qendrore për bashkëpunimin e plotë timin personal dhe të Bashkisë së Tiranës që është hallka përgjegjëse, shpreh kënaqësinë e veçantë që ky memorandum shënon, bashkë me bashkëpunimin tonë për të zgjidhur këtë problem, dhe fillimin e një ere të re bashkëpunimi mes qeverisjes më të madhe lokale në vend, dhe qeverisjes qendrore”.
Në përgjigje të pyetjes se, si do të veprohet me pallatet që kanë devijuar nga projekti duke bërë shtesa jo të programuara dhe në se do të marrin hipotekën ata qytetarë që jetojnë në ato banesa?..., kryebashkiaku ripërsëriti se banorët nuk do të deprivohen nga e drejta për të pasur titull pronësie.
“Kjo është kategoria problematike me të cilën merret ky memorandum dhe aktet e tjera që po hartojmë në Bashkinë e Tiranës dhe që do të hartohen dhe nga qeverisja qendrore. Parimi i zgjidhjes është ky; banorët që kanë blerë apartamentet e tyre në këto pallate dhe që s’kanë absolutisht asnjë përgjegjësi për shkeljen nga zhvilluesi apo ndërtuesi, nuk do të deprivohen më nga e drejta e tyre kushtetuese dhe ligjore për të pasur titullin e pronësisë. Ne do të ndajmë në këtë proces të drejtën e patjetërsueshme të banorëve për ta pasur certifikatën e regjistrimit, hipotekën e tyre, nga përgjegjësitë e zhvilluesit, përgjegjësi e cila do të shkarkohet natyrisht nëpërmjet ligjeve në fuqi dhe akteve nënligjore që do të hartojmë së bashku. Mendoj që procesi ka filluar tashmë dhe përgatitja për të dhënë aktet e regjistrimit ka filluar që në ditë te para në Bashkinë e Tiranës në komunikim edhe me ministrinë e Drejtësisë, të Punëve Publike dhe Transportit, ALUIZNI-n, në ato aspekte që i takojnë kësaj agjencie. Në Bashkinë e Tiranës po përfundon procesi i evidentimit të rasteve kur Bashkia e Tiranës është drejtpërdrejtë përgjegjëse për mosdhënien e lejeve të shfrytëzimit në një kohë të gjatë dhe sipas kategorive, sepse ka disa kategori të ndryshme që do të kenë trajtim të ndryshëm sa i përket hipotekimit, por me të njëjtin rezultat. Ky proces do të nisë jo më vonë se java e dytë e muajit nëntor dhe besoj se do të jemi në kohë për ta përmbyllur procesin brenda fazave të tij, pavarësisht shtyrjes që diktoi procesi i zgjatur elektoral. Çdo pretendim për të kryer ndërhyrje drastike veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtesa shumëkatëshe do të ishte jo realist, por ne Bashkia e Tiranës, duke mbrojtur interesin publik, në çdo rast do kërkojmë përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e plotë të atyre që kanë bërë këto shkelje, por kjo në asnjë moment nuk do të ndalojë procesin e hipotekimit të banorëve që jetojnë në këto pallate, u shpreh Basha.
Sokol Olldashi, Ministër i Punëve Publike dhe Transportit
“Bashkia e djeshme në qendër të administrimit pallatet,
bashkia e sotme ka në qendër të vëmendjes vetë qytetarët”
“Në vazhdim të asaj që tha Kryetari i Bashkisë, është shumë e rëndësishme që është vendosur bashkëpunimi mes Bashkisë dhe qeverisjes qendrore për zgjidhjen e një problemi që është i trashëguar, shumëvjeçar dhe prek mijëra familje në Tiranë. Ka qenë një proces që mund të ishte bërë shumë më herët, por për shkak të dallimeve konceptuale që ka pasur Bashkia e atëhershme me Bashkinë e sotme, nuk ka qenë e mundur. Nuk ka qenë e mundur sepse në asnjë çast nuk ka pasur gatishmëri bashkëpunimi, jo thjesht për arsye politike, por sepse besoj se koncepti i Bashkisë së atëhershme ka qenë krejt i ndryshëm nga sot. Bashkia e djeshme kishte në qendër të administrimit vetëm pallatet, bashkia e sotme ka në qendër, vetë qytetarët. Ndryshim thelbësor substancial i cili sot gjen një zgjidhje me këtë memorandum dhe jam i bindur që me gatishmërinë e të gjithë institucioneve të përfshira në këtë memorandum, të ministrive, Bashkisë dhe institucioneve që janë në varësi të ministrive të linjës, do të bëhet i mundur hipotekimi i pasurisë së mijëra qytetarëve të Tiranës në një kohë shumë të shkurtër, duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit”.
Eduart Halimi, Ministër i Drejtësisë
“Procesi peng deri tani, si pasojë
e mosbashkëpunimit me pushtetin lokal”
“Falënderoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për gatishmërinë që tregoi në nënshkrimin e këtij memorandum, sepse të drejtat e qytetarëve, e drejta e pronësisë qytetare, dhe siguria juridike mbi pronësinë e apartamenteve që ai posedon, janë të drejta themelore për qytetarët, të drejta që derivojnë në sigurinë juridike që qeveria duhet t’u ofrojë qytetarëve nëpërmjet qeverisjes së mirë. Ky proces bëhet gati i pamundur në rastin e mosbashkëpunimit me pushtetin lokal. Sigurisht, është detyrë e ZRPP që të pajisë qytetarët me aktet e pronësisë, por kjo deri më sot ishte e pamundur pa hequr të gjithë barrierat ndaj ZRPP dhe qytetarëve, për të finalizuar projektin e hipotekimit të apartamenteve në Tiranës. Sigurisht ky proces i hap rrugën hartimit të një sërë aktesh nën ligjore nga qeveria qendrore. Janë kryetari i Bashkisë dhe Ministria e Drejtësisë, ZRRPP që do të bëjnë të mundur implementimin e këtyre akteve nënligjore dhe finalizimin e procesit të regjistrimit të apartamenteve në Tiranë. Edhe njëherë, falënderoj Kryetarin e Bashkisë për mundësinë që i jep qeverisjes qendrore, Ministrisë së Drejtësisë, për një performancë ndaj shërbimit qytetar… Pa dyshim që Bashkia e Tiranës ka barrën kryesore të ndalimit të hipotekimit në një numër shumë të madh rastesh, duke mos dhënë lejet e shfrytëzimit, por pa dyshim koordinimi me institucionet e tjera që kanë përgjegjësitë e tyre, siç është në rastin e Ministrisë së Drejtësisë ZRPP, që është hallka përfundimtare e këtij procesi, është i domosdoshëm për ta përfunduar procesin në parametra optimalë për një numër kaq të madh qytetarësh”.
MEMORANDUM BASHKËPUNIMI
NDËRMJET
MINISTRIT TË DREJTËSISË,
MINISTRIT TË PUNËVE PUBLIKE DHE TRANSPORTIT
DHE
KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË
“PËR REGJISTRIMIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME NË NJËSINË VENDORE TIRANË”
Ministri i Drejtësisë, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, si dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë (në vijim të quajtura “Palët”)
Duke vlerësuar rëndësinë e të drejtës themelore të qytetarit mbi pronësinë dhe të sigurisë juridike mbi të, si kushte themelore të nxitjes së investimeve, zhvillimit ekonomik dhe parandalimit të korrupsionit;
Duke konfirmuar vullnetin politik dhe angazhimin maksimal për të siguruar dhe zbatuar të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe ekzekutive për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në njësinë e qeverisjes vendore Tiranë;
Duke konsideruar si një ndër objektivat prioritarë në ushtrimin e veprimtarisë së tyre realizimin e të drejtës së pronësisë së qytetarëve mbështetur në parimet e barazisë përpara ligjit dhe sigurisë juridike;
Duke afirmuar vullnetin e mirë dhe vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar dhe kontribuuar në mënyrë konstruktive dhe thelbësore në funksion të realizimit të qëllimit të këtij memorandumi;
Duke u mbështetur në kuadrin e plotë ligjor që normon veprimtarinë e tyre institucionale dhe administrative: në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, në ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar , në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar dhe në ligjin nr. 8654, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”; si dhe në ligjin 8652, datë 31.7.200 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” i ndryshuar;
Kanë rënë dakord të lidhin këtë Memorandum Bashkëpunimi (në vijim “Memorandumi”).
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i memorandumit është heqja e çdo barriere të mundshme ndaj qytetarëve dhe mbrojtja efektive e të drejtave të pronësisë përmes marrjes së masave të ndërsjella për të mundësuar regjistrimin e pasurive të paluajtshme në njësinë e qeverisjes vendore Tiranë të realizuar nga bashkëpunimi i ndërsjellë dhe bashkërendimi ndërmjet Palëve, për të:
përmirësuar aksesin e qytetarëve dhe nivelin e shërbimeve ndaj tyre me përparësi, cilësi, efiçencë, profesionalizëm dhe integritet në çështjet që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
përfshirë në qarkullimin civil pasuri të paluajtshme tashmë të krijuara në funksion të zhvillimit ekonomik;
rritur besueshmërinë e institucioneve shqiptare lidhur me aftësitë e tyre menaxheriale nën parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, përballë partnerëve ndërkombëtarë që kanë investuar për zhvillimin e infrastrukturës në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
përmbushur objektivat e marrëveshjeve të financimit në kuadër të projekteve të asistencës ndërkombëtare, nëse ka të tilla.
Neni 2
Forma e bashkëpunimit
Bashkëpunimi sipas këtij Memorandumi realizohet nëpërmjet:
Bashkërendimit në dhënien e informacionit për sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Bashkinë Tiranë për aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit, mënyrat e ushtrimit të të drejtave të individit dhe detyrimeve të strukturave shtetërore, si dhe dhënia e asistencës në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera, në çështjet që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
Bashkërendimit në dhënien e shërbimeve ndaj qytetarit përgjatë procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sidomos në rastet kur krijimi apo ndërtimi i pasurisë së paluajtshme realizohet me leje të strukturave të qeverisjes vendore apo legalizohen nga ALUIZNI;
Pjesëmarrjes në grupet e punës për të dhënë mendime në hartimin e akteve normative për çështje që lidhen me regjistrimin e pasurive të paluajtshme;
Nxitjes dhe marrjes së masave mbi sensibilizimin e publikut dhe edukimin e tij, mbi llojin dhe procedurat e shërbimeve të ofruara, nëpërmjet publikimeve, fushatave televizive dhe medias së shkruar;
Programimit të takimeve periodike për shkëmbimin e informacionit mbi aktivitetet e realizuara dhe bashkërendimin e atyre aktiviteteve që vlerësohen të nevojshme për t’u ndërmarrë në të ardhmen, të cilat do të jenë rrjedhojë e situatave të ndeshura në praktikë;
Shkëmbimin e përbashkët të statistikave që kanë për bazë numrin e rasteve të raportuara problematike me qëllim analizimin e tyre për hartimin e politikave të mëtejshme të nevojshme për përmirësimin e aksesit të qytetarëve dhe barazisë para ligjit;
Kryerjes së analizave dhe studimeve të përbashkëta me qëllim nxjerrjen e rekomandimeve të karakterit ligjor dhe administrativ dhe vënien e tyre në dispozicion të Palëve, të cilat do të vlerësojnë nevojën dhe formën e ndërhyrjeve konkrete bazuar në kompetencat ligjore.
Neni 3
Angazhimet e Ministrisë së Drejtësisë
Palët bien dakord që Ministria e Drejtësisë, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 1, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 4
Angazhimet e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit
Palët bien dakord që Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 2, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 5
Angazhimet e Bashkisë Tiranë
Palët bien dakord që Bashkia Tiranë, përmes strukturave të saj, për arritjen e qëllimeve të këtij memorandumi, kryen detyrat e përcaktuara në aneksin 3, bashkëlidhur këtij memorandumi dhe pjesë përbërëse e tij.
Neni 6
Komunikimi mes palëve
1. Palët angazhohen të mbajnë një komunikim të vazhdueshëm ndërmjet tyre dhe të shkëmbejnë çdo informacion të nevojshëm për përmbushjen e detyrave të tyre. Komunikimi do të kryhet në formë shkresore ose në rrugë elektronike. Në çdo rast të paraqitjes së një kërkese, palët angazhohen të japin përgjigje brenda 10 ditëve.
2. Palët, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e memorandumit, caktojnë një person kontakti që është përgjegjës për shkëmbimin e informacionit dhe të kërkesave të palëve në zbatim të memorandumit.
3. Personat e kontaktit janë të disponueshëm në çdo kohë për komunikimin dhe koordinimin me palën tjetër me qëllim rakordimin e veprimeve që duhet të ndërmerren rast pas rasti.
4. Me anë të përfaqësuesve palët përcaktojnë radhën e mbledhjeve të grupeve të punës, kohëzgjatjen dhe periodicitetin e këtyre mbledhjeve.
Neni 7
Ndryshimi i Memorandumit
Ky memorandum mund të ndryshojë vetëm me marrëveshje të palëve nëpërmjet shkëmbimit të komunikimit me shkrim.
Neni 8
Përfundimi i Memorandumit
1. Memorandumi lidhet pa afat, por mund të përfundojë në çdo kohë. Përfundimi hyn në fuqi një muaj pas marrjes së njoftimit me shkrim nga një prej Palëve.
2. Deri në përfundimin e këtij memorandumi, palët iu përmbahen kushteve që rrjedhin nga ky Memorandum, për sa i përket informacionit dhe dokumenteve të shkëmbyera përpara datës së përfundimit.
Neni 9
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Çdo mosmarrëveshje lidhur me interpretimin ose zbatimin e këtij memorandumi zgjidhet me mirëkuptim mes palëve.
Neni 10
Hyrja në Fuqi
Memorandum i Bashkëpunimit hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të saj dhe publikohet në faqet zyrtare të internetit të palëve.
Memorandumi përgatitet dhe nënshkruhet në 6 (gjashtë) kopje origjinale, dy prej të cilave depozitohen në Ministrinë Drejtësisë, dy në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit dhe dy të tjera në Bashkinë Tiranë.
Ky Memorandum Bashkëpunimi nënshkruhet sot në Tiranë, më datë ________.
MINISTRI I DREJTËSISË
EDUARD HALIMI
_________________
(nënshkrimi) KRYETARI I BASHKISË TIRANË
LULZIM BASHA
___________________
(nënshkrimi)
MINISTRI I PUNËVE PUBLIKE
DHE TRANSPORTIT
SOKOL OLLDASHI
_________________
(nënshkrimi)
Aneks 1
Detyrat e veçanta të Ministrisë së Drejtësisë
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes me leje shfrytëzimi nga Bashkia Tiranë;
Dërgojë te pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, ato raste që ka dijeni të kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit;
Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP, pas pajisjes së tyre me leje legalizimi nga ALUIZNI;
Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë Ministrisë së Financave dhe strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP;
Dërgojë tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së, certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme dhe të njoftojë administratën tatimore, nëpërmjet Ministrisë së Financave, për regjistrimin e pasurive për qëllime të mbledhjes së detyrimeve tatimore;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Financave.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Ministria e Drejtësisë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ZRPP-së, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ZRPP-së me ato të dërguara nga Bashkia Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë;
Kërkojë regjistrimin e tyre rast pas rasti nga ZRPP;
Dërgojë, tek pronari i pasurisë, nëpërmjet ZRPP-së certifikatat e pronësisë mbi këto pasuri të paluajtshme;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë.
Ministria e Drejtësisë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij Memorandumi.
Aneks 2
Detyrat e veçanta të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit
1. Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë, nëpërmjet ALUIZNI-t, të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura nëpërmjet ALUIZNI-t me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë;
Finalizojë, nëpërmjet ALUIZNI-t procesin e legalizimit të këtyre pasurive;
Dërgojë, nëpërmjet ALUIZNI-t për regjistrim këto pasuri pas pajisjes së tyre me leje legalizimi, duke njoftuar Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë Tiranë;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Bashkinë Tiranë.
2. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e të akteve ligjore dhe nënligjore, në fushën e veprimtarisë së saj, të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.
Aneks 3
Detyrat e veçanta të Bashkisë Tiranë
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar kërkesat për regjistrim apo ka kufizuar veprimet mbi pasuritë e paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon leja e shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e përfunduara me leje ndërtimi, për të cilat nuk është dhënë leja e shfrytëzimit;
Analizojë përputhshmërinë e të dhënave të mbledhura me ato të dërguara nga Ministria e Drejtësisë;
Shqyrtojë dhe lëshojë lejet e shfrytëzimit rast pas rasti në përputhje me legjislacionin në fuqi, për pasuritë që nuk vepron legjislacioni mbi legalizimet e ndërtimeve informale;
Dërgojë rast pas rasti për regjistrim në ZVRPP Tiranë lejet e shfrytëzimit të lëshuara;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se dokumentet kanë mospërputhje dhe në vijim, kërkuesi i regjistrimit ka filluar procedurën për marrjen e lejes së legalizimit nga ALUIZNI, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet, për të cilat është kërkuar leje legalizimi;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë ALUIZNI-t nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, të cilat janë depozituar për legalizim pranë ALUIZNI-t sipas afateve ligjore;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Bashkinë Tiranë dhe Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se mungon dokumenti i shlyerjes së detyrimeve tatimore, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet për të cilat dokumentacioni tekniko ligjor i ndërtimit është i plotë, por regjistrimi nuk është kryer nga ZVRPP Tiranë kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.
Në rastet kur zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë ka pezulluar regjistrimin e pasurive të paluajtshme të llojit ndërtesë me arsyetimin se të dhënat e lejes së ndërtimit nuk përputhen me të dhënat e lejes së shfrytëzimit, Bashkia Tiranë merr përsipër të:
Mbledhë dhe evidentojë të gjitha rastet e kërkesave për regjistrim të kësaj kategorie të paraqitura pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë;
Përcjellë listën dhe të dhënat e të gjitha rasteve të evidentuara pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë;
Dërgojë informacion mbi ecurinë e këtij procesi ditën e fundit të çdo muaji pranë strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë.
Bashkia Tiranë merr përsipër, nëpërmjet strukturave të saj, të analizojë dhe hartojë projektet e urdhëresave, vendimeve dhe urdhrave të nevojshme për realizimin e qëllimit të këtij memorandumi.