E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë në grupin margjinal të BE-së

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që procesin e integrimit dhe përparimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ta ndajë në dy grupe. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta boshnjake "Dnevni Avaz", që citon burime diplomatike të Brukselit. Plani i BE parashikon që në grupin e parë, përparimtar siç e cilëson gazeta, të përfshihen Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, të cilat janë vlerësuar me më tepër pozitivitet në planin e reformave dhe rrugës drejt anëtarësimit në BE. Ndërsa në grupin e dytë, që quhet margjinalizues do të bëjnë pjesë, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. "Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Bosnjën, e cila do të vendosej në një vend me Kosovën, e cila është pavarësuar tre vjet më parë, dhe që gjithashtu është edhe shteti që nuk është njohur nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian", shkruan gazeta, duke shtuar se Brukseli zyrtar nuk ka dashur të komentojë publikisht planet e tilla. Më herët gjatë këtij muaji, Presidenca polake e BE-së, që nis punën në 1 korrik deklaroi se një ndër prioritet e këtij organizmi, është integrimi i Ballkanit Perëndimor. Polonia deklaroi se do të konceptojë çështjen e zgjerimit si një element të rëndësishëm në gjashtë muajt e drejtimit të saj në BE.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›