Shqipëria dhe Kroacia mbajnë qëndrim të njëjtë për njohjen e Kosovës
Intervistë me ambasadorin tonë në Kroaci, Pëllumb Qazimi
Prej më shumë se një viti, Ambasador i Shqipërisë në Kroaci, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Pëllumb Qazimi, është përshtatur mjaft mirë me jetën e diplomatit.
Në Kroaci, tregon në një intervistë Ambasadori Qazimi, jeton një komunitet shqiptar, që ka një rol të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Po ashtu, në Kroaci, pikërisht në Zarë (Zadar), jeton dhe një komunitet i vjetër shqiptarësh (arbanas), të ardhur para 300 vjetësh. Nga ky komunitet është edhe akademiku, ilirologu dhe historiani i njohur, Aleksandër Stipcevic, si dhe ministri aktual i Transportit, Bozidar Kallmeta.
“Ambasada e Shqipërisë në Kroaci është mjaft aktive në promovimin e aktiviteteve dhe të vetë komunitetit shqiptar në Kroaci”, shton ai gjatë intervistës së marrë në mjediset e ambasadës shqiptare në qendër të kryeqytetit kroat, Zagreb.
Ambasadori që mban këtë post pas një përvoje shumëvjeçare si ushtarak dhe ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndalet në nivelet aktuale dhe drejtimet kryesore të bashkëpunimit mes dy vendeve, të cilat janë me interes të dyanshëm në proceset e integrimit. “Dy vendet kanë marrë ftesën për anëtarësim në NATO dhe Protokolli i anëtarësimit është firmosur nga tetë vende, gjë që forcon besimin se në Samitin e NATO-s në prillin e vitit të ardhshëm ato do të jenë anëtare me të drejta të plota në Aleancë”. Ai bën një përmbledhje të qëndrimeve të njëjta të dy vendeve ndaj njohjes së Kosovës, mbështetjes në proceset e integrimit për të gjitha vendet e rajonit.
Cilat janë marrëdhëniet dhe niveli i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë?
Në fillim doja të theksoja se në nivelin politik marrëdhëniet dhe niveli i bashkëpunimit janë shumë të mira. Shkëmbimet e vizitave të autoriteteve të nivelit të lartë kanë qenë pjesë e bashkëpunimit të këtij viti. Të dy vendet kanë marë ftesën për anëtarësim në Aleancën e NATO-s dhe deri tani si për Shqipërinë, edhe për Kroacinë, Protokolli i anëtarësimit është ratifikuar nga parlamentet e 8 vendeve anëtare të Aleancës. Ekziston besimi se në Samitin e vitit të ardhshëm të vendeve të NATO-s, vendet tona do të jenë anëtare me të drejta të plota në Aleancë.
Gjithashtu, të dy vendet janë të orientuara për integrim në Bashkimin Evropian. Kroacia synon që brenda vitit 2009 të mbyllë të gjithë kapitujt e bisedimet me BE-në, ndërkohë që Shqipëria ka nënshkruar MSA-në dhe po bën progres në rrugën e integrimit. Të dyja këto drejtime kanë qenë fusha të bashkëpunimit intensiv. Dy vendet kanë shkëmbyer përvoja në ndërtimin e shoqërisë demokratike funksionale në vendet respektive, ndërtimin e shtetit ligjor, ndërtimin e ekonomisë së tregut të lirë dhe krijimin e një jete më të mirë për qytetarët. Bashkëpunimi shumë i mirë në fushën politike është zgjeruar edhe në angazhimin e përbashkët për paqe, qëndrueshmëri e zhvillim në rajon. Kjo është shprehur në qëndrimin e njëjtë për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, qëndrimin e njëjtë në mbështetje të integrimit Evropian dhe Euroatlantik të gjithë vendeve të rajonit, angazhimin konstruktiv në të gjithë nismat rajonale dhe në forume ndërkombëtare, kontributet me personel ushtarak në operacionet në mbështetje të paqes. Të dy vendet, së bashku me Maqedoninë, në kuadrin e Kartës SHBA-Adriatik 3, janë të pranishme me misione në Afganistan, me një Ekip të Përbashkët Ushtarak Mjekësor. Mes Shqipërisë dhe Kroacisë nuk ka asnjë problem politik të pazgjidhur dhe kjo favorizon rritjen e intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Shkëmbimi i përvojave për integrimin evropian dhe integrimin euroatlantik kanë qenë të vazhdueshme. Fusha të tjera bashkëpunimi kanë qenë ato të ekonomisë e të tregtisë, turizmit, energjisë, bujqësisë, investimeve kroate në Shqipëri, shkëmbimeve kulturore, ashtu si edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, policisë, etj. Gjithsesi, duhet pranuar se ende ka shumë për të bërë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe sidomos atij ekonomik prodhues.
Ju folët për bashkëpunim të gjithanshëm mes dy vendeve. Mes tyre cilat do të rendisni si më parësoret?
Do doja të përmendja tre përparësi. Së pari, është shkëmbimi i përvojave në rrugën e integrimit në BE dhe në NATO, gjë që është realizuar dhe vazhdon të realizohet përmes veprimtarive dypalëshe e rajonale të nivelit të lartë, veprimtarive në nivel ekspertësh, si edhe ngjarjeve të tjera që familjarizojnë e përgatisin më mirë të dy vendet për anëtarësimin në BE dhe NATO; së dyti, bashkëpunimi në fushën ekonomike e atë të investimeve. Vizitat e nivelit të lartë janë shoqëruar edhe me organizim të forumeve ekonomike. Në Kroaci janë prezantuar ecuria e rezultatet e reformave ekonomike dhe mjedisi i favorshëm i investimeve në Shqipëri. Shpresojmë se Kroacia dhe investitorët kroatë do të tregohen "më agresivë" për investime në Shqipëri, jo thjesht për aktivitet tregtar, por për aktivitet prodhues të përbashkët. Drejtimet e investimit janë nga më të ndryshmet, në veprimtari prodhuese, turizëm, energji, bujqësi, infrastrukturë rrugore, etj. Së treti, shkëmbimet kulturore, artistike, shkencore, historike. Veprimtaritë e organizuara dhe ato në vijim, kanë çuar në atë që të njohim më mirë njëri tjetrin, të kuptohemi më mirë. Popujt dhe vendet tona janë pjesë e të njëjtit rajon. Kanë të kaluar me diferenca, por edhe me ngjajshmëri. Shkëmbimet në këto fusha, jo vetëm që na sjellin më afër, por njëherazi inkurajojnë thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes për të dy vendet, por edhe në të mirë të rajonit.
Në cilat drejtime duhet kushtuar më shumë vëmendje?
Njohja e ndërsjelltë duhet thelluar. Kroacia ka çfarë t'i ofrojë Shqipërisë. Por edhe Shqipëria ka shumë për t'i prezantuar Kroacisë. Thellimi i njohjes përmes veprimtarive promovuese te njëri- tjetri, do të thellojë bashkëpunimin përmes projekteve konkrete. Njohja, përmes veprimtarive të nivelit të lartë, por edhe me kontribut të akademikëve, studiuesve, njerëzve të thjeshtë do të rrisin besimin. Kjo do të lehtësojë e mundësojë edhe bashkëpunimin më të mirë në fushën ekonomike, të investimeve e në fusha të tjera. Intensifikimi i marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ekonomike do të jetë drejtim me interes e ku do të shënohen rritje.
Cili ka qenë roli i Ambasadës për të mundësuar bashkëpunimin dhe cilat kanë qenë disa nga veprimtaritë promovuese të imazhit të Shqipërisë?
Efektiviteti i bashkëpunimit dypalësh përbën pjesën qëndrore të misionit të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kroaci. Realizimi i bashkëpunimit është realizuar përmes kontakteve me autoritete të nivelit të lartë në Kroaci, por edhe përmes veprimtarive me nivele të tjera. Ambasada ka patur në qendër të vëmendjes promovimin e imazhit të Shqipërisë, ku janë përdorur jo vetëm rrugët standarde të promovimit. Janë synuar veprimtari që ndiqen jo thjesht nga zyrtarët, por edhe nga sektori privat, përfaqësues të botës akademike, shkencore, universitare, kulturore, të biznesit, njerëz të thjeshtë. Përveç shuarjes së kuriozitetit për Shqipërinë e zhvillimet e saj, është rritur interesi i qytetarëve kroatë për fusha e drejtime të veçanta në Shqipëri. Roli i Ambasadës ka qenë i dukshëm në informim më të mirë, organizim veprimtarish promovuese, koordinim veprimtarish me organizma kroatë, afrim subjektesh të ndryshëm, interesim e ndjekje të veprimtarive të përbashkëta, që zhvillohen jo vetëm në Kroaci, por edhe ato në Shqipëri. Ambasada ka qenë mikpritëse jo vetëm para veprimtarive të caktuara, por edhe pas realizimit të tyre. Mund të vë në dukje se numri i miqve kroatë të ambasadës ka shënuar rritje. Disa nga veprimtaritë kryesore të Ambasadës kanë qenë: pjesëmarrje e subjekteve shqiptare në panairet që organizohen në Kroaci; veprimtari promovuese për atë çka ofron Shqipëria në fushën e turizmit; konferencë shtypi për arritjet e reformave ekonomike dhe klimën favorizuese të investimeve në Shqipëri; prezantim para auditori të gjerë për zhvillimet e demokracisë shqiptare; promovim të botimit në gjuhën shqipe të librave të autorëve kroatë; veprimtari promovuese për Shqipërinë, organizuar në bashkëpunim me shoqata kroate, anëtarë të të cilave kanë kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, apo që kanë kryer veprimtari sportive në alpet shqiptare; organizim koncertesh të sopranove të njohura shqiptare Inva Mula dhe Ermonela Jaho; pjesëmarrje të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në festival Ndërkombëtar në Kroaci; organizimi i javës kulturore shqiptare në bashkëpunim me Unionin e Bashkësive shqiptare në Zagreb me rastin e festës Kombëtare të Shqipërisë, etj.
Ka një komunitet shqiptar në Kroaci. Kush është roli i tij dhe cilat janë marrëdhëniet e Ambasadës me këtë komunitet. Çfarë kontributi ka dhënë ky komunitet në marrëdhëniet midis dy vendeve?
Në Kroaci jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Ai është i organizuar në bashkësi, këshilla, shoqata të intelektualëve, të grave, kulturore e artistike. Siç emërtohet në Kroaci, shqiptarët e këtushëm përbëjnë pakicën kombëtare shqiptare. Me ligj pakicat kombëtare janë të organizuara e të financuara nga qeveria për veprimtarinë e tyre. Me kënaqësi mund të thuhet se shqiptarët e Kroacisë janë qytetarë dinjitozë, punëtorë, që respektojnë ligjin dhe që janë të integruar në shoqërinë kroate. Ata janë të shpërndarë gati në gjithë Kroacinë. Gjithashtu në Kroaci dhe pikërisht në Zarë (ZADAR) ka një komunitet të vjetër shqiptarësh (arbanas), të ardhur që para rreth 300 vitesh nga Shqipëria. Nga ky komunitet është Akademiku, Ilirologu, historiani i njohur Aleksandër Stipčević, i cili është edhe Kryetar i Shoqatës Kroaci-Shqipëri, si dhe ministri aktual kroat i Transportit, Božidar Kallmeta. Shumica e shqiptarëve të Kroacisë janë nga Kosova dhe Maqedonia. Një pjesë e vogël është nga Shqipëria, ku mund të veçohet balerini i njohur Ilir Kerni, i cili është i njohur dhe i respektuar edhe në botën e artit në Kroaci. Shqiptarët janë punëtorë, mbajnë me djersë dhe me punë bizneset e tyre. Ata kanë përfaqësuesit e tyre edhe në botën e artit, kulturës, kinemasë, botën universitare e akademike, sportive, etj. Janë pikërisht ata që kanë kontribuar e përjetuar me qytetari zhvillimet e Kroacisë, që kanë kontribuar e përcjellë me dinjitet e qytetari pavarësinë e Kosovës, që ofrojnë mesazhe e shembullin e harmonisë e të marrëdhënieve të mira me kroatët dhe qytetarët e pakicave të tjera. Shqiptarët e Kroacisë botojnë edhe dy revista periodike në gjuhën shqipe dhe atë kroate, si dhe realizojnë edhe botime të tjera.
Ambasada mban lidhje të rregullta bashkëpunuese me të gjithë organizmat e komunitetit shqiptar. Marrëdhëniet e bashkëpunimit me unionin e bashkësivë shqiptare, këshillat e zgjedhur të pakicës shqiptare, shoqatat e ndryshme kulturore e artistike janë pjesë e misionit të Ambasadës. Së bashku koordinohen e organizohen një sërë veprimtarish të cilat synojnë ruajtjen e traditës, kulturës, folklorit. Gjithashtu organizohen veprimtari njohëse të historisë shqiptare e të figurave të saj, veprimtari promovuese të artit e kulturës shqiptare e të figurave më të spikatura.
Në mënyrë të padiskutueshme, komuniteti shqiptar ka një rol të pazëvendësueshëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kroacisë. Kontributi i tij, njohjet dhe respekti që shqiptarët gëzojnë në Kroaci, inkurajojnë e vendosin linja më dashamirëse komunikimi e bashkëpunimi midis dy popujve e dy vendeve tona.
...