E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nderim për Gazideden. Ishte promotor i proceseve demokratike në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi figurën e Bashkim Gazidedes si "promotor i vërtetë i proceseve demokratike në Shqipëri". Sot në mesditë, në ambientet e parlamentit shqiptar u zhvilluan homazhe në nderim të z. Gazidede, një nga personalitetet e njohura të jetës politike shqiptare të pas viteve '90, i cili u nda dje nga jeta pas një sëmundje të rëndë. "Bashkim Gazidede ndahet nga jeta duke lënë kujtimin e një intelektuali të shquar, të një shërbëtori të madh të kombit të tij, të simbolit të njeriut të ndershëm, të një promotori të vërtetë të proceseve demokratike në Shqipëri", u shpreh Kryeministri Berisha pas homazheve të zhvilluara pranë trupit të tij.
Kreu i Qeverisë theksoi ndër të tjera se "sot Shqipëria dhe shqiptarët ndahen me njërin prej bijve më të ndershëm e të përkushtuar, ndahen me intelektualin e shquar Bashkim Gazidede. Ai i përkiste asaj plejade të intelektualëve shqiptarë, të cilët në vitet '90, me guxim e kurajo të pashoqe shembën murin e Berlinit dhe themeluan në Shqipëri pluralizmin politik".
"Njeri me një perfomancë të shkëlqyer gjatë jetës së tij, ai, pasi erdhi deputet në parlament me votën e qytetarëve të Dibrës, mori përsipër ndërtimin e shërbimeve inteligjente shqiptare dhe zëvëndësimin e shërbimeve të diktaturës, në shërbime të një sistemi demokratik", vlerësoi Kryeministri, duke nënvizuar se z. Gazidede grupoi rreth vetes forca, individë dhe elementë ndër më të përkushtuarit, duke dhënë një kontribut historik të shkëlqyer në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Në vijim të vlerësimit për figurën e z. Gazidede, kryeministri theksoi se "ndershmëria e përkushtimi i ekipit që ai drejtoi, bëri që Shqipëria, që në fillim të viteve '90-të, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, të renditej me dinjitet të madh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar".
Kryeministri vlerësoi qëndrimin e z. Gazidede "në mbrojtje të shtetit, të Kushtetutës dhe interesit kombëtar, në momentet tragjike të rebelimit komunist të viteve '97", si dhe kontributin e çmuar në reformimin e sistemit të regjistrimit të pasurive dhe hipotekave të vendit.

Topalli: Gazidede ishte modeli i integritetit dhe patriotit
'Model të korrektësisë, të integritetit dhe të patriotit' e vlerësoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, figurën e Bashkim Gazidedes, i cili u nda dje nga jeta një ditë më parë në moshën 56 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Mesditën e sotme, në ambientet e selisë së Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, u zhvilluan homazhe në nderim të figurës së Bashkim Gazidedes, një nga personalitetet e njohura të periudhës së pas viteve '90.
Pas homazheve të zhvilluara pranë trupit të tij, Kryetarja Topalli vlerësoi për median se "z. Gazidede ishte një ndër deputetët e parë që u çua kundër regjimit komunist. Një ndër njerëzit më të ndershëm, modeli i njeriut në korrektësinë dhe integritetin e tij. Një admirim të pashembullt, personalisht, kam pasur ndaj tij në vitin '97, kur rebelët kërkuan të shkatërronin e digjnin Shqipërinë dhe ai qëndroi në momentet më të vështira."
"Pjesëmarrja e këtyre njerëzve, bashkëpunëtorëve e studentëve të tij tregon se ai është një ndër figurat më lapidare në integritetin dhe në ndjenjën e patriotizmit ndaj vendit të tij. Ai ishte njeriu që zëvëndësoi Sigurimin e Shtetit në një shërbim në mbrojtje të vendit dhe të interesave të kombit tonë", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Në homazhet në nderim të z. Gazidede, morën pjesë bashkëpunëtorë, përfaqësues të kabinetit qeveritar, studentë etj, qytetarë të thjeshtë, të cilët, në shenjë nderimi e respekti vendosën kurora me lule pranë trupit të tij.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›