Tirana zyrtare vizitohet nesër nga ministri i jashtëm i Italisë Franko Fratini

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini pritet të zhvillojë nesër (e hënë) një vizitë zyrtare në Tiranë, e dyta brenda këtij viti. Ministri i Jashtëm i Italisë, do të vizitojë kësaj here Shqipërinë me ftesë të homologut të tij shqiptar, Lulzim Basha. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, ai do të pritet në takime nga personalitetet më të larta të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Politikani italian, parashikohet të përshëndesë edhe punimet e Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, që do të nisë nesër në Tiranë. Në fillim marsin e 2008-s (7 mars), z. Fratini vizitoi Shqipërinë, si zëvendëspresident i Komisionit Evropian, me misionin hapjen e dialogut zyrtar për regjimin e udhëtimit pa viza. Gjatë kësaj vizite zyrtari i lartë i KE-së përcolli mesazhin se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së mund të arrihet brenda vitit 2009. Një premtim të tillë, komisioneri Fratini e mbështeti në ecurinë e reformave, por edhe në shpresën se Shqipëria do t'i realizojë kushtet e vëna nga komuniteti europian. Gjatë vizitës së tij në mars ai u shpreh optimist se ky proces me Shqipërine mund të marrë fund brenda mandatit të Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, që përfundon në vitin 2009. Vendimi i KE-së për hapjen e dialogut me Shqipërinë sipas Fratinit "ishte rezultat i progresit të bërë nga Shqipëria në fushën e reformave dhe punës së mirë të ministrive në përmbushje të kritereve për liberalizimin e vizave". Por, nga ana tjetër, gjatë kësaj vizite, z. Fratini vuri në dukje dhe kushtet e BE-së për të bërë të mundur që qytetarët shqiptarë të kalonin pa vizë në vendet anëtare të tij. “Përmirësimi i sigurisë së dokumenteve, lufta kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm, mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendit tuaj, janë pikërisht ajo që do BE", theksoi Fratini, në muajin mars në Tiranë. ...