E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dhe Serbia përplasen në Maqedoni për Kosovën

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Drashko Jovanoviç, ka thënë se vendi i tij do ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
"Serbia asnjëherë nuk do të njoh pavarësinë e Kosovës, por me rëndësi është që Serbia të shfrytëzoj mjetet politike dhe juridike që të mbrojë sovranitetin e saj. Me rëndësi është që këtë çështje ta vendosin në tavolinë dhe të bisedojmë për të ", u shpreh ministri serb. Jovanoviç i bëri këto komente në konferencën kushtuar NATO-së dhe integrimit të shteteve të Evropës Juglindore, që u mbajt në qytetin e Manastirit në Maqedoni.
Por, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Arben Imami tha se pavarësia e Kosovës është realitet dhe ajo duhet të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike.
"Mendoj se qëndrimi jonë është i qartë, nuk ka gjasa që Kosova të mbetet jashtë integrimeve euroatlantike. Shpresojmë se kjo do të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur. Republika e Kosovës është realitet dhe kjo duhet të merret në konsideratë. Perspekiva e këtij vendi të ri të rajonit është e lidhur me integrimin euroatlantik", deklaroi Arben Imami.
Në këtë konferencë nuk ishte e ftuar Kosova.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›