E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Turqia finalizojnë aleancën në OKB, NATO dhe BE

Me afrimin e punimeve të Samitit të NATO-s, në Bukuresht, vendet anëtare të NATO-s, po konfirmojnë hap pas hapi se Shqipëria gëzon mbështetje tërësore dhe do të marrë ftesën për në Aleancë, pikërisht gjatë zhvillimit të punimeve të samitit të radhës të zgjerimit. Në këtë drejtim edhe Turqia është renditur në vendet që mbështesin pa kushte anëtarësimin e vendit tonë në Aleancë dhe ka shprehur se do të bëjë lobing të fuqishëm gjatë zgjerimit të NATO-s, që Shqipëria të ftohet dhe t’i bashkangjitet “de jure” familjes së madhe Altantike. Gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Tiranë ai është pritur në takime të vecanta nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Në takimin me Kreun e qeverisë Berisha, kryeministri turk, Erdogan ka konfirmuar miqësinë e dy vende tona dhe shprehu mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në Samitin e Bukureshtit. “Turqia, do të vazhdojë të japë të gjithë ndihmën dhe kontributin e nevojshëm për modernizimin e ushtrisë shqiptare”, tha Erdogan. Ndërsa, Kryeministri Berisha pasi i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Erdogan si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në të gjitha fushat si në atë të mbrojtjes, ekonomike, në fushën e arsimit, të shëndetësisë etj. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se “finaliteti territorial i Bashkimit Europian nuk do të mund të plotësohet pa integrimin e Turqisë në BE”. “Kryeministri Erdogan, me reformat e mëdha që ka ndërmarrë në vendin e tij, ka treguar përkushtimin e madh ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit të qytetarëve të këtij vendi”, tha Berisha. Nga ana e tij, Kryeministri Erdogan u shpreh se vizita e tij në Shqipëri i shërben forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeministri Berisha shprehu veçanërisht mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, e cila ka qenë jo vetëm politike, por edhe në drejtim të mbështetjes së reformimit të Forcave të Armatosura Shqiptare. Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se midis dy vendeve ekziston një infrastrukturë ligjore bashkëpunimi e zhvilluar, që mundëson thellimin dhe rritjen në një nivel edhe më të lartë të bashkëpunimit dypalësh. Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike, dy delegacionet konstatuan me kënaqësi se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet vendeve është rritur ndjeshëm. Bashkëpunimi dypalësh ka njohur rritje në shumë fusha, veçanërisht në infrastrukturë, metalurgji, në fushën e telekomunikacionit, që reflektohet edhe në rritjen e investimeve turke në Shqipëri nga 38 milion dollarë në vitin 2002, në 620 milion dollarë sot, si edhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, e cila hyn në fuqi në muajin maj, do të fuqizojë më tej këto shkëmbime. Ndër të tjera, Kryeministri Erdogan shprehu gatishmërinë e qeverisë turke për të nxitur edhe më shumë shtimin e investimeve turke në Shqipëri, në fusha të tilla si turizëm, ndërtim, telekomunikacion, metalurgji, sistemin bankar. Në kuadër të shkëmbimit të përvojës në sektorin e investimeve, veçanërisht në fushën e turizmit, kryeministri turk theksoi se do të ishte në interes edhe të investitorëve shqiptarë që, së bashku me ata turq, të projektonin investime të përbashkëta drejt vendeve të treta. Përsa i takon zhvillimeve në Kosovë, të dy kryeministrat ndanë të njëjtin mendim se pavarësia e saj i shërben paqes dhe stabilitetin në rajon.
Berisha: Shqipëria ofron potenciale të mëdha për investimet turke/Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje në fjalën e mbajtur në takimin me Këshillinin e Biznesit turko-shqiptar, në prani të homologut të tij, turk, Erdogan, se Shqipëria ofron potenciale të mëdha për stimulimin e investimeve turke në vendin tonë. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria pret me kënaqësi hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në muajin maj, duke shprehur bindjen se ritmi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve do të njohë nivele të reja dhe shumë të larta. Kreu i qeverisë shtoi se “në meritën e madhe të Kryeministri Erdogan qëndron fakti se marrëdhëniet ekonomike gjatë qeverisjes së tij njohën një shumëfishim të shpejtë. Nga 38 milionë dollarë investime turke në Shqipërei sot janë mbi 620 milionë dollarë të investuara në të gjitha fushat e rëndësishme në metalurgji hidrokarbure, telekomunikacion, banka, tekstile dhe prodhime të tjera”, tha Kryeministri Berisha duke nënvizuar se një rritjee të konsiderueshme pësuan edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Në përfundim të fjalës së tij Kryeministri Berisha përshëndeti bizneset turke që operojnë në Shqipëri, ndërsa i siguroi ata dhe të gjithë biznesin turk në tërësi, se do të gjejnë në Shqipëri lehtësitë e nevojshme për të investuar, burime dhe potenciale të mëdha, por edhe një qeveri mike që do të bëjë çddo përpjekje për lehtësimin e këtyre investimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›