E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Nexhmije Hoxha do Shqipërinë në NATO

• Edhe pse kohët kanë ndryshuar, mund të kemi qëndrimin e Nexhmije Hoxhës, vejushës së liderit të fortë stalinist, simbol i një vendi 40 vjet të izoluar.

Nga Kerin Hope,

Zonja Hoxha, 88 vjeçe, e cila qëndroi 5 vjet në burg pas vitit 1990 për shpërdorimin e fondeve publike si koka e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, tashmë është mbështetëse e hyrjes së Shqipërisë në NATO. "Eksperienca ime ka treguar se është e vështirë për vende të vogla që të mbijetojnë. Doni ju ose jo, duhet të pranoni mbështetjen e fuqive të mëdha", thotë ajo. "Shqipëria duhet të ecë drejt Perëndimit, drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian". Ajo nuk bën asnjë kërkesë faljeje për ashpërsinë e regjimit të Enver Hoxhës. Mund të thotë vetëm se "janë bërë ca ekzagjerime" të politikave, si për shembull vendimi për të ndërtuar 700 mijë bunkerë në të gjithë vendin si mbrojtje ndaj sulmeve që mund të bënin vendet perëndimore. Pragmatizmi i zonjës Hoxha, bashkë me mosdashjen për të hedhur poshtë të shkuarën, reflekton qëndrimin e shumë shqiptarëve që e kanë jetuar kohën e komunizmit. Si shumë pensionistë të tjerë shqiptarë të moshuar, ajo ankohet për çmimet e larta të ushqimeve dhe energjisë elektrike. Ajo jeton në një apartament të vjetër në periferi të Tiranës, dedikuar ish-zyrtarëve të lartë të diktaturës staliniste, të cilët u hoqën me dhunë nga vilat e tyre në qendër të Tiranës. Tre volume e saj të kujtimeve janë shitur dhe ajo ftohet vazhdimisht nga televizionet për debate televizive. Vajza e saj është një arkitekte e suksesshme. Ramiz Alia, i cili pasoi Enver Hoxhën dhe nisi tranzicionin demokratik në 1991 si President i Shqipërisë, u dënua më pas me burg për abuzime me detyrën. Tani që ai është 82 vjeç, vazhdon të mbetet një mbrojtës i vendosur i regjimit të Hoxhës. "Kur ne erdhëm në pushtet në fund të Luftës së Dytë Botërore, analfabetizmi ishte më tepër se 80 për qind në Shqipëri dhe nuk kishte asnjë universitet. Në 1980 çdokush mund të lexonte e të shkruante dhe kishte më tepër sesa 30 mijë të diplomuar në Universitetin e Tiranës", thotë ai. Zoti Alia udhëhoqi një tranzicion të butë, megjithatë për këtë shkak në jetën publike dhe politike mbetën mjaft ish-drejtues komunistë, ndërsa të tjerët, përfshirë edhe ish-zyrtarë të shërbimeve sekrete, zhvilluan biznese të suksesshme, megjithëse u miratuan ligje që ndalonin ish-drejtues të lartë komunistë dhe pjesëtarë të shërbimeve sekrete, që të kandidonin në Parlament dhe në pushtetin lokal. Këto ligje u amenduan dy vjet pasi socialistët (ish-komunistët) erdhën në pushtet dhe mjaft pjesëtarë të ish-nomenklaturës komuniste u vendosën në zyra të shtetit. Korrigjimi i këtyre ligjeve është kthyer në axhendë tani që është rigjallëruar debati për influencën e grupeve me interesa të përbashkëta, të cilat kontrollohen nga ish-komunistë dhe biznesmenë të dyshimtë që kanë dhe patronazh politik. Tre versione për një ligj të ri për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, të propozuar nga qeveria, opozita dhe një parti tjetër presin të shqyrtohen në Parlament. "Ne po shkojmë sigurisht drejt miratimit të njërit prej tyre. Kjo çështje nuk është e mbyllur", thotë Sali Berisha, kryeministër i vendit. Zoti Berisha, një kardiolog i spikatur dhe themelues i Partisë Demokratike, ishte pjesë e grupit të intelektualëve shqiptarë, i cili nisi të diskutojë me Ramiz Alinë për mundësinë e tranzicionit demokratik dhe ekonomisë së tregut, pasi komunizmi kishte rënë në të gjithë vendet e Evropës Lindore. Në ndryshim me shumë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, Shqipëria nuk i ka hapur akoma dosjet sekrete, të cilat u mbajtën për qytetarët gjatë regjimit të Hoxhës dhe kjo çështje vazhdon të jetë një debat i ditës. Një shoqatë e ish-të burgosurve politikë kishte kërkuar në të kaluarën që dosjet të hapeshin, pasi mbi 100 mijë njerëz u dënuan gjatë regjimit për motive politike dhe u detyruan të punonin në miniera, ndërsa familjet e tyre u internuan në male. Disa shqiptarë pretendojnë se influenca e ish-policisë sekrete është e fortë në qeverisje edhe tani. "Këta njerëz janë transferuar në antikomunistë. Nëse dosjet e tyre do të hapen, këto abuzime do të marrin fund", thotë Zef Kolombi, i cili thotë se ai kishte dhënë dorëheqjen nga puna e tij në zyrën e kthimit të pronave pas refuzimit për t'u transferuar në një zonë malore. Zoti Berisha ka thënë se qeveria e tij planifikon një zgjidhje për dosjet sekrete, megjithëse shumë prej tyre janë dëmtuar. "Shërbimi sekret dogji mjaft dosje gjatë periudhës së tranzicionit. Kjo është pranuar nga ish-shefa të shërbimeve sekrete. Por megjithëse shumë dosje janë dëmtuar, njerëzit duan të shohin çfarë ka mbetur", thotë Berisha. Fatos Lubonja, një shkrimtar i burgosur nga diktatura komuniste, ka qëndruar 17 vjet në burg si "armik i popullit", pasi ditari i tij i papublikuar u konfiskua nga shërbimet sekrete. Zoti Lubonja, një themelues i fondacionit për të drejtat e njeriut, ka bërë disa përpjekje të dështuara për të gjetur njerëzit që e kishin spiunuar në shërbimet sekrete, edhe pse ka intervistuar mjaft ish-zyrtarë të lartë të Sigurimit. "Nëse dosjet nuk do të hapen, nuk jam i sigurt nëse do të ndahemi në mënyrë të ndershme me të kaluarën", thotë ai. "Ka shumë ambiguitet tani midis njerëzve se kush e ka përjetuar këtë jetë të dyfishtë gjatë komunizmit", shton Lubonja. "Nuk jam i sigurt se kjo gjendje do të ndryshojë. Shumë njerëz e kanë lënë vendin dhe të rinjtë nuk janë shumë të interesuar për të kaluarën", thotë ai.
Titulli në origjinal: “Shqipëria 2008: Lëvizje drejt Perëndimit me një këmbë në të shkuarën”
Financial Times,
Mars 27, 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›