E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Historia në shkolla pa klishe për fqinjët”

• Eliminimi i klisheve negative, gjuhës së urrejtjes e përçmimit ndaj fqinjëve janë disa nga Orientimet e Këshillit të Evropës për tekstet shkollore të historisë.

 Në këtë vijë sipas Ministrisë së Arsimit do të ngrihen grupe ekspertësh për të përshtatur kurrikulat e lëndës së historisë që nga klasa e katërt fillore deri në klasën e dymbëdhjetë të arsimit të mesëm me standardet evropiane. "Qëllimi i grupeve të ngritura në bazë të marrëveshjeve të përbashkëta mes shteteve nuk ka të bëjë me hartimin e teksteve të përbashkëta, por me analizën dhe shqyrtimin e teksteve të historisë vendeve përkatëse për të parë plotësimin e standardeve të organizatave evropiane mbi mësimdhënien e historisë",sqaron MASH. Sipas këtij dikasteri janë nënshkruar tashmë marrëveshjet me Greqinë e Turqinë, ndonëse konkretisht nuk është bërë ende asnjë ndryshim. "Para 3 vjetësh MASH ka ngritur një komitet të përbashkët për të studiuar mënyrën e paraqitjes së historisë, gjeografisë, kulturës dhe ekonomisë në tekstet shkollore, mbështetur në marrëveshjen midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë" bën me dije MASH. Deri më tani grupet e punës shqiptare dhe greke kanë shkëmbyer programet e lëndëve të historisë dhe priten takime të tjera të komitetit të përbashkët. Ndërkaq dy ditë më parë një tjetër marrëveshje u nënshkrua me Turqinë. Në marrëveshje thuhet se "pala turke ka shprehur pakënaqësi për trajtimin e historisë në tekstet shkollore veçanërisht asaj të shekullit të XV. Kështu të dyja palët kanë shprehur angazhimin e tyre për të ngritur grupe të përbashkëta në rishikimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›