Shqipëria dhe Vatikani po celebrojnë 20-vjetorin e marrëdhënieve të shkëlqyera
Në 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, kryeministri Berisha kujton vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë si dhe rolin e Vatikanit për stabilizimin e Kosovës, kurse sekretari i shtetit, Imzot Mamberti kujton kontributin e Vatikanit për të gjitha komunitetet fetare të Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Imzot Dominique François Joseph Mamberti, Sekretar për Marrëdhëniet me shtetet në Vatikan. Berisha e vlerësoi vizitën e Imzot Mamberti, e cila përkon me 20 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si një kontribut me rëndësi për këto marrëdhënie.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Imzot Mambertit, kryeministri vlerësoi lart kontributin e Vatikanit në rilindjen e Kishës Katolike në Shqipëri dhe besimit fetar në përgjithësi si dhe mbështetjen që Vatikani i ka dhënë Shqipërisë dhe popullit shqiptar gjatë 20 viteve të transformimit demokratik dhe integrimit në Evropë. Në mënyrë të veçantë ai çmoi kontributin në fushën e edukimit dhe shëndetësisë.
Kryeministri Berisha konsideroi vizitën e Papës Gjon Pali II, si pikën kulmore të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit dhe shprehu gatishmërinë maksimale për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis dy shteteve.
Kryeministri theksoi se Shqipëria jep një shembull të marrëdhënieve ndër fetare dhe çmoi se roli i Kishës Katolike në kuadër të këtyre marrëdhënieve është e një rëndësie themelore. Pasi e njohu Imzot Mambertin me miratimin e ligjit që siguron mbështetje financiare buxhetore për komunitetet fetare, kryeministri u shpreh se nëpërmjet institucioneve kompetente shteti shqiptar do të kontribuojë në mirëmbajtjen e objekteve të kultit që përbëjnë trashëgimi kulturore për vendin.
Pasi e falenderoi kryeministrin për pritjen, Imzot Mamberti i përcolli atij përshëndetjet e Papës Benedikti XVI dhe gjithashtu shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira midis dy shteteve.
“Në 20 vitet e shkuara kemi patur shumë momente të përbashkëta për t’i forcuar këto marrëdhënie dhe në këtë 20 vjetor kemi mundësinë që të celebrojmë suksesin e tyre”, u shpreh ai.
Imzot Mamberti vlerësoi se aktiviteti i Kishës Katolike në Shqipëri ka kontribuar jo vetëm për komunitetin katolik, por dhe të të gjitha komuniteteve fetare në vend. Ai çmoi se dialogu dhe bashkëpunimi midis komuniteteve ka një rëndësi jetike për të gjithë rajonin si një pjesë e pandarë e Evropës.
Sekretari për marrëdhëniet me shtetet në Vatikan, Imzot Mamberti vlerësoi se procesi i integrimit evropian është një zgjidhje së pari për stabilitetin në rajonin e Ballkanit dhe se promovimi i paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira midis komuniteteve është në të mirën e të gjithë vendeve të rajonit, por edhe të BE.
Kryeministri gjithashtu e njohu Imzot Mambertin me reformat transformuese që qeveria shqiptare po ndërmerr në kuadër të integrimit të vendit në BE dhe të demokratizimit, modernizimit dhe përmirësimit të jetës në vend. Ai vlerësoi takimin me Papën Benedikti XVI gjatë ceremonisë së lumturimit të Papës Gjon Pali II dhe shprehu dëshirën që Papa të vizitojë Shqipërinë në të ardhmen. Kryeministri falenderoi Imzot Mambertin për rolin që Vatikani ka luajtur në përmirësimin dhe stabilizimin e situatës në Kosovë. Kryeministri theksoi se shteti i Kosovës po forcohet dita ditës si në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.
Ndërkohë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti dje në një takim Sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkv Dominique Mamberti.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli i uroi mirëseardhjen arqipeshkv Dominique Mamberti, dhe theksoi se kjo vizitë është një tregues i nivelit shumë të mirë dhe të konsoliduar të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë. Ajo shtoi gjithashtu se këtë vit mbushen plot 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike
Ndërsa Arqipeshkëvi Mamberti, falenderoi Kryetaren e Kuvendit për pritjen e ngrohtë dhe theksoi se është kënaqësi që në 20 vjet kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të forta e intensive dhe tashmë mund të shohim frytet e këtij bashkëpunimi.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka deklaruar dje se duhet të shihet mundësia që në kishën katolike të ketë një kardinal shqiptar në Vatikan. Kreu i diplomacisë shqiptare, Haxhinasto bëri me dije se ai në emër të autoriteteve shqiptare i ka paraqitur një ftesë Atit të Shenjtë dhe pritet që të shihet mundësia për një vizitë të Papa Benediktit të 16-të, vitin e ardhshëm në Shqipëri. Këto pohime ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto i bëri gjatë konference të përbashkët për shtyp me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, arqipeshkvin Domenique François Mamberti.