E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe roli i saj për mbrojtjen e hebrenjve

 

****

Prof.Dr. Petrit ZORBA*

Shoqata e Miqësisë Shqipëri - Izrael, në këtë përvjetor të 60 të formimit të shtetit të Izraelit i përcjell popullit dhe shtetit të Izraelit, urimet më të mira dhe shpreh me kënaqësi se ndjenjat e respektit dhe vlerësimit reciprok që kanë ekzistuar historikisht midis dy popujve tanë, kanë qenë dhe janë një bazë e mirë që dhe në të ardhmen, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet midis dy vendeve të përparojnë me shpejtësi në të mirë të dy popujve. Në këtë përvjetor, Shoqata e Miqësisë Shqipëri Izrael vjen mjaft e nderuar

për punën e bërë në këto 17 vite, që nga krijimi i saj më 1991, për ndihmesën që ka dhënë, duke u konsideruar me shumë të drejtë nga shumëkush si një ambasadore e përbashkët midis dy vendeve tona; duke përcjellë vazhdimisht frymën e bashkëpunimit dhe ndjenjat e respektit për popullin hebre si dhe evidentuar ato pjesë të historisë dhe kontributeve që shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri apo Serbi, në territoret e tyre ku jetojnë prej mijëra vjetësh, kanë patur dhe përcjellë të njëjtin qëndrim apo komportim mbrojtës e strehues për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore; si i vetmi popull që mëse 65 vjet më parë, respektoi të drejtat e njeriut në atë shkallë sa ato janë dhe përbëjnë ende një synim për standardet e sotme, për mjaft vende në botë. Në këtë kontekst, Shoqata e Miqësisë Shqipëri - Izrael ka synuar që vlerat dhe virtytet pozitive që e bëjnë faqebardhë popullin shqiptar sot përpara botës, të promovohen dhe prezantohen jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë, ndaj, jo pa qëllim, shoqata propozoi mëse një vit më parë dhe bashkërendoi punën për realizimin me sukses të Konferencës së Parisit, të 27 Janarit të këtij viti. Ndërkohë, shoqata dha ndihmesën e saj në mirë-realizimin e aktiviteteve të bëra në Shqipëri nga institucionet e ndryshme si Parlamenti, Kryeministria apo Bashkia e Tiranës, për të cilat iu kërkua bashkëpunimi, në lidhje me veprimtaritë e bëra në Tiranë më 27 janar, ditën e përkujtimit - miratuar dhe nga Parlamenti ynë. Një prej arritjeve, ku pa dyshim u vu në dukje dhe ndihmesa e shoqatës ishte realizimi i një fotoekspozite nga institucioni i Yad Vashem-it më 29 tetor 2007 në Jeruzalem, me punimet e fotografit të njohur amerikan Norman Gershman, dhe më pas organizimi i një takimi të rëndësishëm dhe promovimi i kësaj fotoekspozite në mjediset e Kombeve të Bashkuara në NY, më 29 janar 2008, ku popullit shqiptar iu adresua një vlerësim i veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, z.Banki Mun. Kjo ekspozitë e cila mendohet të paraqitet nëpër vende të ndryshme të botës, do të ishte mjaft e vlerësueshme dhe e mirëpritur që të aranzhohej nga institucionet përkatëse të Izraelit dhe qeverisë sonë, si dhe asaj të Kosovës, që ajo t’i bëhej prezent dhe publikut shqiptar në Tiranë dhe Prishtinë.

Kjo ekspozitë që përfshin shumë më tepër figura dhe familje se numri 35 i atyre që janë dekoruar nga Yad Vashem, me titullin “Të Nderuar Ndër Kombe” deri më sot, është një tregues tjetër i mirënjohjes së popullit hebre ndaj kombit shqiptar dhe një plotësim dhe respekt ndaj atij numri që në fakt duhej të ishte shumë më tepër, siç është kërkuar nga shoqata vazhdimisht, pasi tashmë është evident fakti që pas mbarimit të Luftës së II Botërore në Shqipëri “Goden Place - Vendi i artë”, siç quhej nga shtypi i kohës, numri i hebrenjve në fund të luftës arrinte në 10-15 herë më shumë se para saj. Në këtë sfond mjaft pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe s’kishte si ndodhte ndryshe, që pikërisht së fundi, shënohet dhe lajmi për heqjen e vizave midis dy vendeve, pasi nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptim ekzistencë vizash midis dy popujve miq historikisht, edhe për shkak të një ecurie historike pak a shumë me mjaft paralele, dhe me një holokaust të ngjashëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që mori fund pak vite më parë me ndërhyrjen e SHBA dhe të NATOS.

Të nderuar miq; më duhet të përmend se në marrëdhëniet e mira midis dy popujve tanë, një rol të veçantë kanë luajtur vazhdimisht dhe diasporat e të dy vendeve, ku në veçanti vlen të përmend punën mjaft të vlerësueshme të bërë nga komunitetet, figurat dhe personalitetet shqiptare dhe hebreje në SHBA, siç është Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane drejtuar nga Joe dhe Shirley Dioguardi, i ndjeri kongresmen Tom Lantosh, znj.A.Kohen - Qytetare Nderi e Vlorës, e shumë të tjerë, të cilët vazhdimisht kanë dhënë

kontribute të çmuara për zhvillimin e demokracisë dhe përparimin e vendit tonë. Duke përfunduar më lejoni t’i transmetoj urimet më të mira dhe suksese punimeve të kësaj konference shkencore, të organizuar nga Fakulteti i Historisë së Universitetit të Tiranës dhe Universitetit “Bar Ilan” të Izraelit, si dhe të gjithë folësve dhe pjesëmarrësve të tjerë që me punën e tyre rrezatojnë respekt për njeri-tjetrin, për të shpëtuarit dhe shpëtuesit e para 65 vjetëve, për virtytet njerëzore që do udhëheqin brezat e rinj, duke trajtuar problemet e Holokaustit në një vend si Shqipëria, që shumë herë është cituar me mjaft respekt, si një vend i Jo-Holokaustit.

*Autori është Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael. Kjo është fjala e tij në Konferencën: SHQIPËRIA, SHQIPTARËT DHE HOLOKAUSTI: NJË ÇËSHTJE E JASHTËZAKONSHME NË KONTEKST”

LETRAT

“28 Nëntori, një datë e shënuar për të dyja shtetet”

Letër e nënshkruar

Nashide Shala

Qeveria e Kosovës ka miratuar me ligj, datat e festave zyrtare të Kosovës. Mirëpo duke ndjekur lajmet e mediave tona dhe atyre të Kosovës, vërejmë se ka patur shumë reagime lidhur me këto data zyrtare. Dhe ajo çka ishte më kryesorja, ishte mospërfshirja në festë zyrtare të datës 28 Nëntor, Ditës së Pavarësisë. Dhe me të vërtetë, kjo lë paksa për të dëshiruar. Ne e dimë se Shpallja e Pavarësisë së mbarë kombit shqiptar, ose më saktë Dita e Flamurit është ngjarja më e madhe historike e mbarë kombit shqiptar, Kosovës dhe Shqipërisë, pra 28 Nëntori, nuk ishte data që u ngrit Flamuri Shqiptar vetëm nga i madhi Ismail Qemali, por së bashku me të erdhën dhe burrat e mëdhenj të Kosovës e Isa Boletini me shokë. Dhe për rrjedhojë, duam apo s’duam ne, kjo datë mbetet për të “dyja shtetet”, shtete me të njëjtën gjuhë. Dhe nga ana tjetër copëtimi më i madh i kufijve shqiptarë u bë në 1913-ën, pra kohë pas Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, ngritjes së Flamurit. Pra, nisur nga këto dy fakte të mëdha në historinë e popullit shqiptar, del fare qartë se ne, shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, së bashku, patëm një Flamur, ngritëm një Flamur, patëm që në atë kohë, udhëheqës të mëdhenj që ishin udhërrëfyesit e kësaj ngjarjeje të madhe historike dhe ne besoj se nuk kemi aq “forcë” sa ta shmangim këtë datë të madhe të mbetur në historinë e popullit shqiptar. Pavarësisht se me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, ose më saktë me njohjen e Kosovës si Shtet më vete, udhëheqësve të sotëm kosovarë iu desh të bënin një flamur tjetër, ndoshta dhe në kundërshtim me dëshirat apo shijet e tyre personale apo edhe kombëtare, por që kështu u krijuan rrethanat në kohën e sotme dhe për shumë arsye të tjera që u kushtëzuan nga ndërkombëtarët. Por, kurrsesi data 28 Nëntor e vitit 1912, duk do të hiqej nga festat zyrtare të Kosovës dhe këtë besoj se nuk ia kanë imponuar aspak organizmat ndërkombëtare qeverisë “Thaçi”, dhe normalisht që do ketë dhe reagime nga populli Kosovës, të cilët padyshim kanë mbështetje të madhe nga populli shqiptar këndej kufijve.

“Lum kush të rrojë, për kompensimet e qeverisë!”

Letër e nënshkruar

Julian Saqellari

Fatura reale e kompensimit të ish-pronarëve është 4,35 miliardë dollarë. Qeveria për këtë vit ka miratuar fondin prej 5 milionë dollarë. Sikur të vazhdohet me këtë ritëm, i bie që ish-pronari i fundit të dëmshpërblehet pas 870 vjetësh. Deri atëherë, lum kush të rrojë!

“Plazhi i Tales, një bukuri që po vritet për një copë rrugë”

Letër e nënshkruar

Ndue kola

Në rrethin e Lezhës, pikërisht në zonën e Tales ndodhet një nga plazhet më të bukur, për nga cilësia e ujit dhe e rërës. Për të shkuar në këtë plazh, duhet të kalosh në rrugën mespërmes Zejmenit,të kalosh autostradën Lezhë-Shkodër dhe në komunën e Shënkollit. Ky plazh frekuentohet kryesisht nga rrethet e Mirditës, Laçit, Krujës, Pukës dhe të zonave përreth Lezhës. Segmenti rrugore nga Miloti deri ne autostradë, është totalisht i pakalueshëm pasi nga komuna e Zejmenit nuk është marrë asnjë masë për riparimin e saj dhe ku bëhet fjalë për 3 km rrugë. Një rrugë gjithë gropa, baltë dhe me inerte të hedhura vend e pa vend, ku dhe fuoristradat nuk mund të kalojnë dhe jo më makinat e vogla e ato luksoze. Sapo kalon këtë që vetëm rruge s'mund të quhet duhet të presësh rreth 30 minuta që të kalosh autostradën, ku nuk shikon asnjë tabelë, punonjës qarkullimi dhe në çdo moment ka premisa aksidentesh. Segmenti që kalon në komunën e Shënkollit është njëkalimësh dhe nga drejtuesit e komunës bëhen përpjekje që të mirëmbahet. Në plazh nuk janë marrë masa që të mbillet sikur dhe një pemë e vetme dhe nuk ke ku të fusësh kokën në hije për asnjë moment, për t’u çlodhur me fëmijët. Përfundimisht, mund të themi se infrastruktura është totalisht jashtë loje dhe më e keqja, në prag sezoni nuk po shikohet asnjë masë e marrë. Kur pyet se pse është ky problem pushteti lokal ia hedh fajin atij qendror dhe anasjelltas. Pse për një investim kaq të vogël që kërkohet për ta sjellë në jetë këtë plazh e nxjerrim atë jashtë funksioni dhe nuk dimë vlerat e natyrës që kemi në Shqipëri.

Letër e nënshkruar

Bledi thotë: Edhe në qeverisjen e parë të PD-së, ‘92-‘97, shtypi i saj qe i mbushur përditë, “pu, pu, ça i bën Berisha opozitës!”, (të hapte barkun e të vinte për të vjellë nga retorikat e tij), se Berisha rrinte gjithë ditën dhe merrej me sulmet e intrigat kundra opozitës, sesa me punën e tij që ishte ”qeverisja e vendit” e për të cilën do vlerësohej. Mendësi bandash e cubash, jo për nivelin që duhet të ketë një klasë drejtuese politike europiane, aq më tepër pretendonte në ‘90-ën se do sillte një stil modern europian në politikë, po vajtëm në epokën e gurit e çomangës.

E pasi Berisha, atëherë, sipas shtypit pro tij vente “nga fitorja në fitore”, në luftën e përditshme kundër opozitës, i ra si papritur si karton shteti i tij në ’97-ën.

Po nuk duhet nënvlerësuar, se Berisha me këtë ”bërjen e të fortit”, u tregon atyre që i tërheq nga pas, se ky është i ”forti”, e duhet të vemi pas tij n.q.s duam të fitojmë. E kështu mblidhet turma pas Berishës, mendësi për banda e jo për klasë drejtuese politike.

“Në Shqipëri, njerëzve u mungon ndërgjegjja”

Email nga Layla

blog@shekulli.com.al

Për pak kohë m’u desh të kthehesha në Shqipëri dhe për çudi, takoj një shoqe të klasës së gjimnazit që ditët më të bukura i kishte kur merrte notën 5 dhe që në fakt, për ironi të fatit, kishte mbaruar universitetin dhe ishte Drejtoreshë shkolle, ashtu sikurse një i afërm i imi i larguar nga Shqipëria që në moshën 15 vjeç ( pra, ka bërë veç një vit gjimnaz) kthehet dhe regjistrohet, pa e kthyer kokën mbrapa për vitet e lëna, në Universitetin e Tiranës, e mbaron me “sukses” dhe tashmë pedagog, mburret si kokosh se është shumë i zgjuar përderisa diti të integrohet nëpër forume të partive e kështu të arrijë atë që do. Dhe në fakt, në këtë pikë më vjen keq për veten sepse më duhet të pranoj që aty (në Shqipëri) vlerat e diplomave të mia të marra nëpër olimpiada, paskan më pak vlerë se ato të miqve të mi! Ashtu sikurse më bëjnë të mos e kthej kokën prapa, përderisa këtu ku jam vlerësohem me mijëra herë më tepër! Fakti është se, në Shqipëri, njerëzve u mungon ndërgjegjja! Gjithsecili duhet të mësojë të respektojë e të zgjedhë, atë për të cilën është në gjendje të punoje e japë maksimumin. Vërtetë, juristët e doktorët paguhen më shumë por nëse e vetmja gjë që di të bësh është kërcimi, atëherë zgjidh baletin i dashur mik, pa detyruar të tjerët të kërcejnë prej paaftësisë tënde. Unë uroj që gjërat të ndryshojnë! U uroj fat, të gjithë atyre që përpiqen dhe japin maksimumin në shkollat tona!

“Politikanit që i japim shumë fuqi, bën ç'të dojë”

Letër e nënshkruar

G.Agu

Njeriu ka shumë dobësira si qenie e gjallë. Është i pangopur, do të tregojë sa më shumë fuqi, është egoist, mendjemadh, dhelpërak, gënjeshtar, kokëshkëmb, përkrah farefisin e tij o miqtë e tij, pasurohet nën rrogoz, fsheh të metat, kur zihet në kurth, aktivizon gangot me të cilët ka lidhje se u jep nga një kockë, shkel ligjet etj., etj. Por kur karrigia, kolltuku, pushteti i jep edhe fuqitë e tij, ai bëhet tepër i rrezikshëm për shoqërinë. Në Shqipërinë komuniste dhe sot, se çfarë karakteri njerëzor kanë politikanët që vendosim në pushtet, vetëm pasi ka shire disa vite e mësojmë. Pikërisht këtyre lloj markave, kur ju japim edhe fuqitë e pushtetit, ata bëjnë ç'të duan. Ka ikur koha kur liderit duhet t’i japim kaq fuqi me postin e tij politik. Fuqia e Kryeministrit, duhet pakësuar, pjesëtuar, ndryshe morët në qafë njerëzit e ndershëm, po përparojnë gangot, hajdutët, pseudo-politikanët, bodigardët, vrasësit me para të zeza, llumi i shoqërisë. I ndershmi nuk ngrys dot ditën. Kujtojmë këtu grekët e lashtë me fjalët: NJERIU ËSHTË NJË KAFSHË POLITIKE.

......................................................

FJALE TE URTA

Mos u bon livadh! TETOVË

Dy kunguj nën një sqetull, s'mbahen. PËRMET

Dy veshë dhe një gjuhë, fol pak e dëgjo shumë. JUG

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›