Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve
Mërgata shqiptare në Belgjikë mban një konferencë me historianë të mirënjohur të fushës
Inicuar nga mërgata shqiptare në Belgjikë, dje në Muzeun e Hebrenjve në Bruksel, u mbajt Konferenca "Shqipëria dhe shpëtimi i Hebrenjve" Mirënjohje publike Shqipërisë dhe Mbretit Ahmet Zogu. Konferencën e mbajti Dr.Patrice Najbor, studiuesi i njohur francez në lëmin e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkë me z.Sulejman Gjanaj, Nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Në njoftimin zyrtar të Muzeut të Hebrenjve në Belgjikë thuhet "se tema kryesore e kësaj konference ishte diplomacia e Mbretit Ahmet Zogu dhe ndihma e Shqipërisë Mbretërore për shpëtimin e Hebrenjve në Shqipëri të ikur nga Holokausti (1929-1944). Ky intervenim shpjegon rrjedhën e ngjarjeve historike në shpëtimin e Hebrenjve nga shteti shqiptar. Po ashtu historiani amerikan Bernard Fisher nga Universiteti i Indianës, pohon se ishin iniciativat e Mbretit Ahmet Zogu, të cilat mundësuan shpëtimin e 2000 hebrenjve edhe pse ky numër duhet jet dukshëm më i madh. Mbreti Zogu ka qenë nismëtari i vërtetë i shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, duke u dhënë viza turistike dhe tranziti, pastaj duke i kërkuar administratës ndryshimin e emrave, ndërrimin e fesë dhe duke u dhënë atyre shtetësinë shqiptare. Ishin rreth 350 familjeve hebrenj në mes tyre edhe fizikanit Albert Ajnshtajn. Në vitin 2005, Muzeumi Memorial i Holokaustit në Washington i ka identifikuar 2.640 hebrenj të shpëtuar nga Shqipëria, mirëpo kjo listë është e kufizuar sepse ka patur më shumë pohon profesori Shaban Sinani. Duhet poashtu theksuar fakti se familja mbretërore shqiptare gjendet në mesin e 63 familjeve të nderuara që kanë shpetuar hebrenj, pra janë në listën hebreje të Yad Vashan, të vlerësuara "Fisnikë mes kombeve". Ky është nder i veçantë për shqiptarët". Këto janë fragmente nga fjala e Dr. Patrice Najbor i cili tha se kjo histori pak njihet sot nga opinioni botëror. Por ishte fakt se një shtet i vogël si Shqipëria i strehoi dhe mbrojti hebrenjtë në kohën kur shtete shumë më të fuqishme nuk e bënë këtë. Shqipëria ishte i vetmi shtet që në fund Luftës Dytë Botërore pati më shumë hebrenj se sa në fillim. Kjo është meritë e virtyteve shqiptare: mikpritjes, besës dhe tolerancës ndërfetare. Për shqiptarin, shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit, andaj kur e fusim brenda mysafirin ia japim besën dhe e mbrojmë nga gjitha të këqijat.
Mjeku dhe fotografi i Mbretit Ahmet Zogu ishin hebrenj. Sipas disa dëshmive edhe fizikanti Albert Ajnshtajni, thuhet se 48 orë ka qëndruar në Shqipëri dhe me pasaportë shqiptare ka shkuar nê SHBA më 1931.
Poashtu në Senatin francez më 27 janar 2008 është mbajtur një konferencë ku janë paraqitur dokumente arkivore dhe dëshmi të familjeve që kanê shpëtuar hebrenjtë, si familjet Biçaku, Ndërgjoni etj.
Në vitin 1991 ishin 500 familje hebreje të cilat nga Shqipëria u shpërngulën në Izrael.
Dr. Naim Durmishi tha se dy familje hebreje që jetonin në Prizren në vitin 2002 u shpërngulën nga Kosova në Izrael, njëra familje ishte shqipfolëse e tjetra turkofone. Në debat morën pjesë Ramadan Gjanaj, Dekani i Fakultetit “Universite Libre International” në Bruksel, pastaj Këshilltari i Ambasadës Kosovës, Gani Azemi, Sakip Skepi dhe disa intelektualë belgë dhe hebrenj prezentë në konferencë. Djali i vëllait të mbretit Ahmet Zogu, z. Skënder Zogu, foli për tolerancën fetare të shqiptarëve dhe bashkëjetesën e shqiptarëve dhe hebrenjve në Aleksandri, ku ai me familjen mbretërore kanë jetuar atje në kohën e Mbretit Faruk të Egjiptit, i cili ishte me origjinë shqiptare. Skënder Zogu ia dorëzoi Muzeut Hebre në Bruksel kopjen e dokumentit nga senati francez ku nderohen me emra familjet shqiptare që i strehuan hebrenjtë.
Referuesi kryesor Dr. Patrice Najbor është autor i librit “Historia e Shqipërisë dhe e familjes së saj mbretërore 1443-2007” botuar në Paris më 2008 në gjuhën frënge në 5 vëllime.
Dhe në fund fare theksojmë se nuk janë të shpeshta Konferenca të tilla ku intelektualë francezë, belgë e hebrenj, flasin shumë afirmativisht për shqiptarët, prandaj iniciatori, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe në veçanti intelektuali dhe politikani Sulejman Gjanaj, meritojnë respekt dhe nderim të veçantë.