E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 8 muaj Shqipëria është vizituar nga 3 milionë turistë të huaj

17-09-2011 / Gazeta 55

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, publikon të dhënat statistikore për turistët që kanë vizituar Shqipërinë në periudhën 1 Janar - 31 Gusht 2011. Deri më tani regjistrohen 16 për qind më shumë vizitorë se një vit më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, deklaroi dje se gjatë këtij viti ka shënuar rritje të numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë. Në mbyllje të sezonit turistik veror, ministri Bumçi ka dalë në konferencë për mediat, ku deklaroi se për 8 muaj të këtij viti, më konkretisht për periudhën 1 Janar - 31 Gusht 2011, Shqipëria është vizituar nga 2 milion e 990 mijë vizitorë, apo e thënë ndryshe numri i vizitorëve turistë është rritur me 300 mijë turistë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“2 milion e 990 mijë vizitorë kanë hyrë gjatë periudhës 1 janar-31 gusht 2011. Nga këta, 2 milion e 120 mijë janë vizitorë me nënshtetësi të huaj. 870 mijë janë vizitorë shqiptarë jo rezidentë në Shqipëri, por në vendet e BE. Rritja në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010 e hyrjes së vizitorëve me nënshtetësi të huaj jorezidentë është 16 për qind ose e thënë ndryshe kanë hyrë rreth 300 mijë vizitorë më shumë. Nga këta, 63 për qind janë vizitorë me net qëndrime, 26 për qind janë vizitorë ditore dhe 11 për qind janë vizitore tranzitë”, u shpreh ministri Bumçi.
Prioritet i Ministrisë së Turizmit, tha Bumçi vijon të mbetet zhvillimi i kësaj fushe, sa i përket turizmit malor, me gjithë shifrat në rritje, turizmit kulturor dhe i ruajtjes e zhvillimit të trashëgimisë kulturore.
Ministri  Bumçi theksoi se më shumë se gjysma e turistëve që kaluan pushimet në Shqipëri, kanë qenë qytetarët nga Kosova, ndërsa pas tyre vijnë ata nga Maqedonia dhe Mali Zi.
“Numrin më të madh të vizitorëve për këtë periudhe e kanë ata kosovarë me 51 për qind, maqedonas 11 për qind, malazezë 5 për qind , italianë 5 për qind, grekë 5 për qind, gjermanë 3 për qind, amerikanë 2 për qind etj”, tha ministri Bumçi.
Sipas mënyrës së udhëtimit vizitorët ndahen rreth 86 për qind me tokë, 6 për qind nga ajri dhe pjesa tjetër nga deti.
“Pika hyrëse tokësore me fluks më të madh është Morina nga e cila kalojnë 50 për qind e vizitorëve, e ndjekur nga Muriqani me 14 për qind dhe Qafë Thana me Rinasin secila me mbi 10 për qind të hyrjeve”.
Edhe pse pjesa dërrmuese e turistëve kanë si epiqendër të vizitës së tyre bregdetin e mrekullueshëm shqiptarë, ministri Bumçi thotë se turizmi malor në Shqipëri, po thith një vëmendje gjithnjë e më të madhe.
“Turistët tradicionalë të ‘diellit dhe rërës’ zënë rreth 50 për qind të hyrjeve vjetore. Kështu në muajin korrik dhe gusht kanë hyrë 1 355 599 vizitore jorezidentë me nënshtetësi të huaj. Kapacitetet më të mëdha pritëse i kanë qarqet e Vlorës, Tiranës dhe Durrësit. Gjithashtu, një numër i madh njësish akomoduese janë ngritur në qarqet e Shkodrës dhe Kukësit që tregon zhvillim e turizmit malor në këto vitet e fundit”, tha Bumçi.

Statistikat për periudhën 1 Janar - 31 Gusht 2011
- 2 milion e 990 mijë vizitorë
- 2 milion e 120 mijë janë vizitore me nënshtetësi të huaj
- 870 mijë janë vizitorë shqiptarë jo rezidentë në Shqipëri, por në vendet e BE

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›