Qeveria miraton fondin prej 37 milionë lekësh për shpronësimet publike
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme fondin prej 37 milionë lekësh që do të përdoret për dëmshpërblimin e qytetarëve që preken nga shpronësimet publike. Konkretisht nga ky fond do të përfitojnë banorët e zonës së Beratit, për shkak të ndërtimit të urës që lidh Beratin me rrugën “Kombinat”, si dhe banorët e Kamzës për shkak të ndërtimit të segmentit rrugor që lidh Kodër-Kamzën me Kamzën. Në vendimet e qeverisë bëhet e ditur se shpronësimet do të bëhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe se procedurat e dëmshpërblimit të qytetarëve do të nisin pas hyrjes në fuqi të këtyre vendimeve. Me përfundimin e procesit të dëmshpërblimeve nisin punimet për ndërtimin e segmenteve në fjalë.
Ura
“Qeveria miraton shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Lidhja e rrugës ‘Kombinat’ me Urën e Beratit. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për sipërfaqen tokë truall 1935 m2, me vlerë 5 998 500 lekë, si dhe për objekte me vlerë 17 121 076 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 23 119 576 lekë”, - shkruhet në vendimin e qeverisë. Sipas vendimit në fjalë, shpenzimet procedurale në shumën 480 000 lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. “Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 23 119 576 lekësh të përballohet nga ‘Llogaria e veçantë’ e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, ‘Fondi i shpronësimeve’”-, shkruhet në vendim. Qeveria sqaron se për pasuritë për të cilat në kolonë është bërë shënimi “Proces legalizimi”, pronarët do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe të jetë bërë regjistrimi në ZRPP, i cili do të vërtetohet zyrtarisht nga ZRPP-ja respektive, bazuar në dokumentacionin e pronësisë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të kryejë likuidimin e pronarëve të pasurive për të cilat janë bërë shënimet përkatëse “Proces legalizimi”, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe të jetë bërë regjistrimi në ZRPP.
Segmenti
Ndërsa për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private tokë arë, truall dhe objekte, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Kodër-Kamzë - Kamzë”, pronarët e pasurive të paluajtshme që shpronësohen do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës. Sipërfaqja e truallit që do të shpronësohet është 165 m2, me vlerë 103 290 lekë; për tokën truall, me një sipërfaqe prej 408 m2, me vlerë 5 305 251 lekë dhe për objekte me vlerë 8 440 699 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 13 849 240 lekë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 410 000 lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Shpronësimi do të fillojë më 1 prill 2010 dhe të përfundojë më 30 qershor 2010. “Pronarët e listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZVRPP”, të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronari për të cilin është bërë shënimi “Plotësim dokumentacioni”, të kompensohet për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procedurat e regjistrimit për pasurinë e zërit “Truall” dhe të ketë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarit për të cilin është bërë shënimi ‘Plotësim dokumentacioni’, pasi të këtë marrë konfirmimin e zyrës respektive të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në bazë të dokumentacionit të pronësisë. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të bëjë likuidimin e pronarëve, për të cilët është bërë shënimi ‘Konfirmim ZVRPP’”, - sqarohet në vendimin e qeverisë.
25 Mars 2010