Vendimi, kryefamiljarët, marrëveshje me punëtorët e shtëpisë për punësim
Eljona Ballhysa
Ka hyrë dje në fuqi udhëzimi më i fundit i Ministrisë së Financave për punësimin e punëtorëve të shtëpisë, siç quhen ndryshe dadot, sanitaret apo kuzhinieret. Në bazë të udhëzimit të Bodes, kryefamiljari që punëson një punëtore shtëpie duhet të nënshkruajë një marrëveshje punësimi me të dhe më pas të drejtohet në zyrat e organeve tatimore për t’u regjistruar në mënyrë që të paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për të realizuar këtë proces, kryefamiljari duhet të plotësojë një formular ku të japë të dhëna të detajuara mbi pagesën bruto të punëtores së shtëpisë dhe kushtet e punës që duhen respektuar nga të dyja palët.
Marrëveshja
Në udhëzimin e Ministrisë së Financave bëhet e ditur: “Kryefamiljari, i cili në këtë rast është përcaktuar në rolin e punëdhënësit, ka detyrimin për regjistrim në drejtorinë rajonale tatimore, e cila mbulon territorin ku kryefamiljari ka banimin e tij sipas përcaktimeve në Kodin Civil. Kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie, në momentin e paraqitjes për regjistrim në organin tatimor, duhet të dorëzojë atje kërkesën me shkrim si dhe kopje të marrëveshjes së punës së nënshkruar ndërmjet palëve, ku përveç të tjerave, të jenë të shënuara detyrimisht numri i sigurimit shoqëror të personit të punësuar, koha e fillimit të punës, zgjatja e saj me ose pa afat, si dhe paga mujore bruto. Drejtoria rajonale tatimore, me marrjen e kërkesës për regjistrim shoqëror me dokumentet si më sipër, pasi bën verifikimin për rregullsitë e tyre, asiston kryefamiljarin për plotësimin e formularit të regjistrimit të tatimpaguesit me të gjitha të dhëna e kërkuara, i cakton NIPT-in, të cilin ia dorëzon apo dërgon zyrtarisht kryefamiljarit përkatës brenda dy ditëve pune nga dita e plotësimit të formularit”, - bëhet e ditur në këtë udhëzim. Më pas sqarohet se për realizimin e regjistrimit të subjekteve “Kryefamiljar që punëson persona si punëtorë shtëpie”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve krijon rubrika përkatëse në formularin tip “Kërkesë për regjistrimin”. Për këtë kategori subjektesh drejtoria rajonale tatimore mban një regjistër të veçantë. Kontributet e sigurimeve shoqërore për personat e punësuar si punëtor shtëpie deklarohen dhe paguhen nga kryefamiljari që i punëson, në llogaritë bankare të përcaktuara sipas procedurave të vendosura për këtë qëllim. Deklarimi dhe pagesa e kontributeve bëhen çdo tre muaj me të njëjtin dokumentacion dhe rregulla që zbatohen për personat e vetëpunësuar në biznesin e vogël.
Formulari
Më pas në udhëzim sqarohet nga kryefamiljari mënyra e plotësimit të formularit të regjistrimit të punëtores së shtëpisë në organet tatimore. “Në formularin ‘Listë-pagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi’, në rreshtat përkatës të çdo muaji të tremujorit, kryefamiljari shënon emrin e mbiemrin e personave të punësuar si punëtor shtëpie dhe numrin e sigurimit shoqëror. Shumën fikse të kontributit shoqëror e regjistron në kolonat ‘gjithsej’
dhe ‘punëdhënësi’. Gjithashtu, në listë-pagesë shënohen dukshëm fjalët ‘punëtor shtëpie’. Shumat e tremujorit të listë-pagesës regjistrohen në rubrikat respektive të dokumentit ‘Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore’. Gjithashtu, në formular shënohen dukshëm fjalët ‘punëtor shtëpie’”, - sqarohet në udhëzim. Sipas Ministrisë së Financave, kryefamiljari që punëson persona si punëtorë shtëpie është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë kontributet për personat që punëson, pavarësisht se ata gjatë periudhës tatimore mund të jenë të punësuar edhe në punëdhënës të tjerë ose të vetëpunësuar dhe gjithashtu të njëjtin veprim janë të detyruar të kryejnë edhe punëdhënësit e tjerë ose të vetëpunësuarit në rastin e anasjelltë. Ndërsa përsa i përket çregjistrimit nga organi tatimor i kryefamiljarit që punëson persona si punëtorë shtëpie, do të bëhet duke paraqitur në drejtorinë rajonale tatimore vetëm një kërkesë me shkrim nga kryefamiljari dhe formularin e ndryshimeve në regjistrim të plotësuar nga ana e tij. Çregjistrimi nga organet tatimore i kryefamiljarit që punëson persona si punëtorë shtëpie miratohet zyrtarisht nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore brenda dy ditëve pune. Përpara çregjistrimit nga organi tatimor, kryefamiljari duhet të ketë plotësuar të gjitha detyrimet ndaj administratës tatimore për dorëzimin e dokumentacionit dhe pagimin e detyrimeve. Ndërsa personat e punësuar si punëtorë shtëpie, sikurse dhe personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, pajisen me librezën e kontributit nga strukturat e Sigurimeve Shoqërore, të cilat janë të detyruara t’ia plotësojnë në vijimësi, në bazë të kontributeve të paguara, duke shënuar në librezë “të siguruar vetëm për pension”.
25 Mars 2010