E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria do jetë e zhvilluar në çdo pëllëmbë të saj

07-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e punimeve të rrugës së Vaqarrit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 159 milion lekë
 
Kryeministri Sali Berisha inauguroi rrugën e Vaqarrit (Rrugë nacionale-Vishaj), me gjatësi 9 km dhe vlerë investimi 159 milion lekë. Rruga e ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne e bashkëkohore përshkon fshatrat e komunës Vaqarr, si dhe i shërben fshatrave të komunës Baldushk, Farkë e Ndroq, duke bërë përfitues të drejtpërdrejtë 10 mijë banorë, ndërsa 30 mijë të tjerë do të përfitojnë në mënyrë indirekte. Nga kjo rrugë, përfitojnë gjithashtu edhe fëmijët e shkollës 9 vjeçare ne fshatin Arbane, si dhe Spitali i të Verbërve qe ndodhet ne këtë zone.
Segmenti Vaqarr-Vishaj shërben edhe si rruge lidhëse midis rrugës se Ndroqit dhe rrugës Tiranë – Elbasan. Gjithashtu ajo lidh komunat e kësaj zone, Vaqarin me Baldushkun, Farkën dhe së shpejti Pajovën dhe Peqinin, duke krijuar një rrjet unik tregu e prodhimi për kryeqytetin.
Duke përshëndetur banorët e zonës, të mbledhur me këtë rast, kryeministri Berisha iu uroi atyre rrugën  e re, duke e cilësuar atë, si një vepër të rëndësishme infrastrukturore me një impakt direkt në jetën e qytetarëve të këtyre komunave.
Kryeministri Berisha vlerësoi potencialet e mëdha prodhuese dhe turistike të zonës, duke garantuar se qeveria do të mbështesë dhe financojë çdo projekt, për të zhvilluar fuqishëm lagjet rurale të Tiranës, në mënyrë që ato ti shpalosin siç duhet këto potenciale.
Kryeministri ftoi autoritet lokale të zonës që të bëjnë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë e bizneseve, e cila do të ndikojë në uljen e papunësisë dhe rritjen e vazhdueshme të mirëqenies në familjet e ketyre komunave. “Këshilla ime për ju, zotërinj kryetarë të komunave dhe anëtarë të këshillave është bëni gjithçka të lehtësojmë veprimtarinë e bizneseve, krijojuni atyre çdo lloj mundësie, duke ruajtur barazinë parë ligjit. Në këtë mënyrë do të zvogëlojmë gjithnjë e më shumë papunësinë, në këtë mënyrë do të rrisim mirëqenien në vazhdim të familjeve shqiptare”- u shpreh kryeministri.
 
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
 
Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time se inaugurojmë sot së bashku rrugën Vaqarr-Vishaj, një rrugë prej 9 km dhe që lidh këtë zonë me rrugën kombëtare Tiranë-Durrës, nga Ndroqi, lidh komunat e kësaj zone,Vaqarin me Baldushkun, Farkën dhe së shpejti Pajovën dhe Peqinin.
 
Faktikisht, ne po ndërtojmë unazën e Tiranës rurale, e cila në të vërtetë është Tirana e lagjeve më të privilegjuara, më të bukura  të saj. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 9 km një gjerësi prej rreth 7 metrash dhe përfitojnë prej saj 10 mijë banorë. Është një investim me vlerë 159 milion lekë. Është rindërtuar në një hark kohor rreth 1 vjeçar , por theksoj këtu se 7-8 muaj më parë ka qenë pothuajse e pakalueshme.
 
Në këto vite në rrethin  e Tiranës, në të katër anët  e këtij rrethi, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 350 km rrugë, 45 shkolla, 65 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh dhe 48 qendra shëndetësore. Kemi financuar rreth 180 mijë rrënjë ullinj, mijëra e mijëra rrënje vreshta  e dru të tjerë frutorë.
 
Sot jam këtu, për tu garantuar ju, për të garantuar qytetarët e komunave, kryetaret e këtyre komunave se qeveria do të financojë çdo projekt, në mënyrë që këto lagje, të bukurat e Tiranës të marrin zhvillimin më të fuqishëm, në mënyrë që këto fshatra të shpalosin të gjithë potencialin e tyre prodhues, të gjithë potencialin  e tyre turistik.
 
Por sërish, kërkesa dhe lutja ime për ju, të nderuar kryetarë komunash, të nderuar banorë të këtyre zonave është që me ambicie të bëjmë gjithçka për  të shfrytëzuar çdo metër katror të kësaj toke, e cila është e cilësisë më të lartë, të bëjmë çdo gjë për të rritur të ardhurat e çdo familje të kësaj zone, të çdo familje shqiptare. Shqiptarët punojnë, derdhin lumenj djerse, asnjë prej tyre nuk e meriton të jetojë në varfëri. Ne kemi sot, të gjitha mundësitë për tu mëkëmbur në rrugën më të sigurtë.
Prandaj zoti kryetar, ju jepni fermerëve tuaj, bashkëfshatarëve tuaj çdo sipërfaqe toke të pandarë, në 99 vjet, me kushtin  e vetëm që ata ti mbjellin, ti shndërrojnë në ullishte, ti shndërrojnë në vreshta, ti shndërrojnë në lajthishte, të shndërrojnë në dru frutorë. Kudo që hedh sytë shikon një potencial të jashtëzakonshëm për të krijuar pyjet më të bukura të drurëve frutorë në këtë vend. Në çdo breg, në çdo ledh, në çdo shpat, në çdo kodër ne mund të mbjellim dru të mrekullueshëm frutorë. Ne sot jemi  në zemër të Evropës, kemi tregun e pafund të saj. Unë ju garantoj ju se ulliri ka pothuaj një treg të përjetshëm të garantuar, se arrorët janë një treg i madh dhe i pakufishëm. Evropa importon çdo vit 2 milion ton arrorë nga vendet dhe kontinentet e tjera. Le të shndërrohemi ne,  një ndër prodhuesit kryesorë të arrave, lajthive, shegëve, bajameve, gështenjave dhe ta pushtojmë ne këtë treg sepse e meritojmë. Prodhimet tona janë të cilësisë më të lartë. Qeveria do tu mbështesë ju në këto projekte, siç kemi mbështetur qindra dhe mijëra hektarë që kemi mbështetur gjatë këtyre viteve. Shumë herë më tepër do të mbështesim gjatë viteve që vijnë.
Sërish nuk duhet të harrojmë, mëkëmbja duhet të jetë qëllim kryesor i yni. Nuk e meritojmë kurrë ne, që me potencialet  e jashtëzakonshme që kemi të tregohemi me gisht si të varfrit  e Evropës. Ne kemi çdo mundësi, kemi çdo pasuri, kemi forcën e mendjes dhe të muskujve tanë për tu bërë të njohur për gjendjen tonë të mirë ekonomike, për tu bërë të njohur për potencialet tona të jashtëzakonshme.
 
Vëllezër dhe motra,
 
Këtë  qeveri e akuzojnë se po ndërton rrugë në fshatra, se po merret shumë me fshatrat. Unë ju garantoj ju se ne do të bëjmë gjithçka, se jo ju, që jeni ngjitur me Tiranën, por edhe në fshatrat më të largëta të këtij vendi të kenë infrastrukture  të njëjtë me lagjet e qyteteve. Shqipëria e zhvilluar, nuk mund të jetë Shqipëria  metropolit të zhvilluar, në Tiranë, dhe e mesjetës në zonat e tjera. Do të jetë e zhvilluar në çdo pëllëmbë të territorit të saj. Ndaj dhe do ti them këtyre zotërinjve, të cilët katër vjet më parë do të deklaronin se për Berishën votuan eskimezët dhe në këto zgjedhje nuk dinë ç’të thonë më, se ne nuk i ndajmë shqiptarët në të dorës së parë dhe të dorës së dytë. Ne i duam shqiptarët aty ku janë. Ne frymëzohemi me punën e tyre, me përkushtim e tyre dhe ne jemi te bindur se së bashku me ta do ta bëjmë Shqipërinë  një nga vendet më të zhvilluara, më të begata të rajonit.
Sot, periferia e Tiranës, komunat përreth Tiranës  kanë biznese më shumë se kishte vetë Tirana, 5 vjet më parë.
Ndaj dhe këshilla tjetër e imja, për ju zotërinj kryetarë të komunave dhe anëtarë të këshillave, është të bëni gjithçka që të lehtësojmë veprimtarinë e bizneseve, krijojuni atyre çdo lloj mundësie, duke ruajtur barazinë parë ligjit. Në këtë mënyrë do të zvogëlojmë gjithnjë e më shumë papunësinë, në këtë mënyrë do të rrisim mirëqenien në vazhdim të familjeve shqiptare.
Edhe njëherë gëzuar, këtë rrugë të mrekullueshme dhe ju garantoj se projekte të tjera do të zbatojmë në komunën e Baldushkut, në komunën e Vaqarit,në komunën e Petrelës, Bërzhitës dhe të gjitha komunat e kësaj zone.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›