E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive për statusin kandidat në vjeshtë të këtij viti”

12-03-2012 / Gazeta 55

Flet Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto


Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto u shpreh dje se në vjeshtë të këtij viti Shqipëria do marrë një vlerësim pozitiv për statusin e vendit kandidat në BE. Sipas tij, mesazhi i Brukselit ka qenë shumë i qartë, se 12 rekomandimet duhet të jenë në qendër të vëmendjes dhe s’duhen shkaktuar ‘turbulenca’ politike për zvarritjen e procesit. “Detyrat janë plotësisht të realizueshme dhe konstatoj me kënaqësi që ka një zhvillim shumë pozitiv, të cilat na bëjnë optimist që në fund të këtij viti, Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Unë pata një takim me Stefan Fyle në Bruksel, por edhe seminari i zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë, u arrit në konkluzionin që Shqipëria është në rrugë të mbarë. Fokusi është te 12 prioritet e integrimit. Mesazhi i Brukselit ka qenë shumë i qartë, se këto 12 rekomandime duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe s’duhen shkaktuar turbulenca. Gjasat janë që në fund të vjeshtës ne të vlerësohemi pozitivisht dhe të marrim statusin e vendit kandidat”, u shpreh Haxhinasto. Ai vuri në dukje se në këtë situatë nuk flitet për kushte, veçse detyrë mbetet fokusimi te reformat. “Nuk flitet për kushte, prandaj u shpreha me fjalën ‘fokus’. 12 rekomandimet janë reforma shumë të gjëra, shumë të thella, është e pamundur që të përmbyllen brenda kësaj kohe që ka mbetur, por e rëndësishme është që të ketë cilësi në mënyrën se si do të trajtohen. Plani i Veprimit i cili ka zbërthyer 12 rekomandimet, është detajuar në hapa konkretë, në ligje, në veprime të tjera me të gjithë institucionet përkatëse, për t’i realizuar ato. Prioritare mbetet reforma zgjedhore, rregullorja e parlamentit si dhe ligjet me 3/5. Nëse plani i veprimit realizohet me korrektësi, atëherë Shqipëria vlerësohet pozitivisht dhe Komisioni Evropian i akordon statusin e vendit kandidat”, tha ai. Ministri i Punëve të Jashtme theksoi gjithashtu se “ngritja e temperaturës politike është e pa tolerueshme në një moment kulmor për fatet e vendit”. “Ngritja e toneve politike, është një pasojë. Është konstatuar si një fenomen i tillë, pra ‘turbulenca’ dhe zhurma sa i takon integrimit. Nuk duhet të ndodhë kështu. Çdo rritje e temperaturës politike, bëhet më një qëllim të caktuar, por kjo s’duhet të imponojë integrimin e vendit. Kemi ndërhyrje në procesin e integrimit, për ta përdorur rëndësinë e këtij procesi si një kushtëzim për të balancuar axhenda të caktuara partiake. Kjo nuk duhet të ndodhë kështu, pasi nuk ka axhendë tjetër më të rëndësishme se sa integrimi. Fyle, ambasadori Sequi dhe përfaqësues të Brukselit kanë vlerësuar angazhimin e deritanishëm dhe ndaj është e nevojshme që asnjë forcë politike të mos kondicionojë procesin, pasi axhenda e integrimit është axhendë mbipartiake”, theksoi Haxhinasto. Për kryediplomatin shqiptar opozita duhet të bashkëpunojë në mënyrë që ajo që ka filluar, Plani i Veprimit, të vazhdojë duke u fokusuar te prioritetet dhe duke imponuar shpejtësi në trajtimin e tyre. Ndërkaq, zgjedhja e Presidentit për ministrin e Jashtëm, Haxhinasto s’duhet të pengojë reformat, pasi ky proces parashikohet qartësisht në Kushtetutë. “Logjika e ndryshimeve kushtetuese ka qenë që vendi të mos mbetet pa president. Asnjë forcë politike s’mund të rrezikojë një krizë politike, ndaj dhe raundi i fundit është me shumicë të thjeshtë. Opozita ka dhënë konsensusin e saj dhe sigurisht që është një rregull loje që ajo duhet ta respektojë. Konsultimi është një proces normal i cili përfshin të dy krahët politik. Termi konsultim ka ardhur si një përcaktim më i qartë i asaj që fillimisht u quajt ‘konsensus’. Ne duam një president mbi palët që vjen pa krijuar krizë dhe merr miratimin e të gjithë krahëve të politikës. Kjo është ajo që ne dëshirojmë. Ndërsa si alternativë e saj, është ajo që parashikohet në Kushtetutë”, tha ai. Ndërkaq, Haxhinasto iu referua edhe zhvillimeve në rajon, duke u ndalur posaçërisht te marrëveshjet Kosovë-Serbi. Për kryediplomatin shqiptar, do përfaqësojë veten në forumet rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas tij, sfidë për Kosovën mbetet zbërthimi i strukturave paralele në Veri, të cilat synojnë të cenojnë stabilitetin dhe rendin ligjor. “Zbërthimi i strukturave paralele, duhet të jetë hapi i parë për të rikthyer stabilitetin atje. Pavarësia e Kosovës nuk mund të cenohet nga një zonë shumë e limituar e Kosovës, por është një situatë që duhet zgjidhur. Dhe, qëndrimi i kancelarive evropiane është që të ecet përpara dhe për veriun e Kosovës ekziston një dokument, është plani ‘Ahtisari’”, tha më tej ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›