E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e 2013 nuk krahasohet me atë të 2005

10-02-2013 / Gazeta 55

Ministri Pollo merr pjesë në 22-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Skrapar
 
“Shqipëria e 2013 jo vetëm që nuk krahasohet me atë të 2005, por është ku e ku më parë, më e zhvilluar dhe në shumë aspekte më mirë se ajo e 2009”. Kështu ka deklaruar dje nga Skrapari Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, njëkohësisht kryetari i grupit të punës së deputetëve të PD-së për Qarkun e Beratit, Genc Pollo, i cili merrte pjesë në 22-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë rreth.
 “Këtë e themi pavarësisht nga vështirësitë që kanë njohur vendet fqinje, që ka njohur Evropa, që ka njohur Bota – vijoi Pollo - tek ne nuk pati ulje të rrogave dhe pensioneve; përkundrazi, pati rritje të tyre; tek ne nuk pati dhe aq shkurtime të investimeve publike; përkundrazi, tentuam të rruajmë një nivel në rritje apo qoftë edhe konstant”.
 Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo theksoi edhe atë se “ne asnjëherë nuk kemi harruar që të shprehim kujtesën, falenderimin dhe mirënjohjen për ata që 22 vjet më parë guxuan, tentuan, realizuan dhe futën një frymë të re, të kohës, të duhur, në Skrapar. Përballuan presionet edhe kërcënimet, megjithatë i kthyen dinjitetin dhe respektin qytetarëve të Skraparit në mënyrë që gjithkush, i pandikuar dhe i patrysnuar nga regjimi i Partisë së Punës të mund të shprehej lirisht dhe mund të zgjidhte lirisht opsionin politik që preferonte”.
Zoti Pollo tha, gjithashtu, se nuk është dobësia e Edi Ramës ajo që përbën kartën tonë fituese, por arritja dhe mbajtja e premtimeve që ka premtuar personalisht z. Sali Berisha, është puna dhe arritja e të gjithëve ne si dhe programi ynë që do kemi për të ardhmen. Në fund të fjalës së tij Ministri dhe deputeti Pollo përfundoi duke thënë se ne nuk mund të vazhdojmë pafundësisht duke iu lutur Edi Ramës për të votuar 3 ligjet, sepse, sipas tij, “tashmë është shumë vonë. Këtë mundësi e pati në tetor, në nëntor dhe në dhjetor. Në qoftë se nuk e ktheu mendjen atëherë, ne kemi një zgjidhje tjetër: ne t’i drejtohemi të gjithë banorëve të Skraparit, të gjithë banorëve të Shqipërisë që 23 Qershori, dita e zgjedhjeve, të jetë dita e çlirimit të Shqipërisë nga bllokimi që ka bërë Edi Rama dhe Partia Socialiste me bllokmenët dhe bllokmenët e kujtdoqoftë”.
Në këtë takim Ministri Pollo shoqërohej edhe nga deputeti i PD-së, z. Lefter Maliqi, Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Bujar Hoxhaj, si dhe nga drejtues lokal të Partisë Demokratike të Beratit dhe të Kuçovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›