E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të mos minohen sfidat e reja me interesa dritëshkurtra”

10-02-2013 / Gazeta 55

Benedikti XVI për 50-vjetorin e Traktatit franko-gjerman

“Ligji moral e natyror, vlerat dhe të drejtat njerëzore, të mbruajtura nga Ungjilli, përbëjnë themelet e një politike, që vihet vërtet në shërbim të drejtësisë e të paqes, si dhe të progresit të mbarë familjes njerëzore” - këtë pohon Benedikti XVI në një mesazh, dërguar në emër të tij nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, me rastin e Konferencës, mbajtur dje në Universitetin Papnor Gregorian. Titullohej: “Pesëdhjetë vjet miqësi franko-gjermane, në shërbim të Evropës: është Bashkimi Evropian model për të tjerët?”. Në mesazh nënvizohet se arsyet, që çuan në këtë marrëveshje, duhen rigjallëruar e risuar vazhdimisht, në mënyrë që ç’u arrit së bashku, të mos minohet nga sfida të reja e nga interesa dritëshkurtra të veçanta e, posaçërisht, të mos të arrijë puna deri në atë pikë, sa edhe të braktiset fare. Në tekstin, lexuar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertí, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij për marrëdhëniet me Shtetet, kujtohet impenjimi personal i etërve të Traktatit, Sharl de Gol e Konrad Adenauer. Ende pa u nënshkruar marrëveshja, nënvizohet më pas në mesazh, dy protagonistët e mëdhenj të Evropës së pasluftës, me pjesëmarrjen e tyre në Meshën e Pajtimit, në katedralen e Reimsit, vunë në dukje, me forcë, se politika bazohet mbi disa parime, të cilat nuk mund të përcaktohen plotësisht prej saj. Kujtohet edhe se duhet ushqyer pa pushim flaka e shpresës, sepse paqja është detyrë e pandërprerë, që vijon pambarimisht në kohë. Në takimin, organizuar nga Ambasada e Francës dhe e Republikës Gjermane pranë Selisë së Shenjtë me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elizeut (1962), morën pjesë, përveç ambasadorëve Jubert e Shvepe, edhe personalitete shtetërore nga të dy vendet. Takimin e drejtoi rektori i madh i Universitetit Papnor, jezuiti Fransua- Zhaviè Dumortje.
Kremtimi i Ditës Botërore të të Sëmurit/Gjithë Kisha Katolike përjeton këto ditë atmosferën e Ditës Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet të hënën, në festën liturgjike të Zojës së Lurdës. Një delegacion i Vatikanit, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski, ndodhet që dje në Gjermani, ku më 11 shkurt, në Altëting të Bavarisë, do të kremtohet solemnisht Dita e të Sëmurëve. Imzot Zimovski kremtoi Meshën për të sëmurët në Mynih dhe vizitoi spitalin Groshadern. Nesër, pas meshës në kapelën e spitalit të Shvabing, delegacioni papnor do të takohet me përfaqësuesit e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që merren me baritorinë e shëndetit. Gjithnjë, në këtë atmosferë, edhe në Indi, kremtohet nga 9 deri më 11 shkurt, 50-vjetori i shenjtërores së Zojës së Shëndetit, së bashku me 25-vjetorin e themelimit të Konferencës Ipeshkvnore të vendit. I dërguari i veçantë i Atit të Shenjtë në këto kremtime është Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›