E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, e 85-ta në raportin “Doing Business”

TIRANE - Banka Botërore publikoi sot raportin vjetor “Doing Business” apo “Si të bësh biznes” për vitin 2013. Ndonëse Shqipëria ka humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të këtij raporti, bashkëautorja e studimit, Tea Trumbic thotë se vendi ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm por ka ende vend për përmirësime.

Banka Botërore e radhit Shqipërinë në vendin e 85 nga 185 vendet e përfshira në klasifikimin e përgjithshëm të raportit Doing Business i cili merr në konsideratë rregulloret e vendosura nga qeveritë që ndihmojnë apo pengojnë bërjen e biznesit në një vend.

Trumbiç thotë se një nga arsyet kryesore për këtë rënie të lehtë të Shqipërisë në klasifikim janë hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Por ajo shton se edhe në Shqipëri vihen re disa ndryshime pozitive.

“Pavarësisht renditjes së përgjithshme, ka pasur dy reforma të rëndësishme vitin e kaluar. Një në treguesin e fillimit të biznesit ku Shqipëria hoqi një nga kërkesat për noterizimin e dokumenteve të themelimit të kompanive (duke e bërë atë fakultativ) dhe duke ulur procedurat si dhe kohën që nevojitet e që e vë Shqipërinë ndër vendet më të shpejta për të filluar një biznes”- shprehet Trumbiç.

Shqipëria gjithashtu bëri përparime në treguesin e regjistrimit të pronave duke vendosur afate kohore për regjistrimin e një titulli të pronësisë.

Megjithatë në treguesin e lejeve të ndërtimit Shqipëria radhitet e fundit në klasifikimin e këtij raporti të Bankës Botërore.
“Për tre vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri që supozohej të zbatohej vitin e kaluar e që ja kalon këtë autoritet bashkive. Por për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit nuk janë dhënë leje ndërtimi. Pra në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë pasi nuk ka asnjë aktivitet”- vijon autorja.

Një tregues ku çalon jo vetëm Shqipëria por mbarë rajoni i Ballkanit thotë zonja Trumbiç, është ai i energjisë, një kriter i ri i futur në raportet e dy viteve të fundit e që mat lehtësinë në procesin e sigurimit të energjisë elektrike për një biznes.

Zonja Trumbiç thotë se puna që po bën qeveria shqiptare për të lehtësuar procesin e pagesave të taksave është inkurajuese.

"Një tregues tjetër ku Shqipëria duhet të bëjë përparim janë pagesat e taksave. Kjo është një fushë ku e dimë se qeveria po punon në mënyrë aktive. Vumë re miratimin e një reforme këtë vit që pakëson disi kohën e pagesës së taksave për shkak të lehtësirave të propozuara për të paguar taksat online”.

Ndër vendet e rajonit, Trumbic përmend Serbinë si vendin që ka shënuar më shumë përparime në raportin e këtij viti, ndërsa Shqipëria paraqitet më mirë sesa Bosnje-Hercegovina. Ajo thotë se gara mes vendeve të rajonit është e fortë.

Raporti vjetor i Bankës Botërore “Doing Business” klasifikon vendet sipas 10 treguesve ku përfshihet shpejtësia e regjistrimit të një biznesi, pagesa e taksave, regjistrimi i pronës, tregtia ndërkufitare si dhe zbatimi i kontratave.

(er.nu/voa/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›