E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e Kosova bashkëpunim për drejtësinë

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarja e Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike, Blegina Kodra dhe Kryetarit të Këshillit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas të Republikës së Kosovës, z. Sokol Haziri.
Ky bashkëpunim do të realizohet me ane te ofrimit të ndihmës juridike shtetasve të palëve nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit, zhvillimit të takimeve për shkëmbimin e eksperiencave në fushën e ndihmës juridike si dhe koordinimit te aktiviteteve te përbashkëta.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast zv.ministri i Drejtësisë, z.Ermal Dobi deklaroi se “Në kushtet në të cilat ndodhen të dy shtetet, ky Memorandum mund të konsiderohet tejet i rëndësishëm meqënëse përbën hapin e parë të bashkëpunimit midis ketyre 2 institucioneve homologe, në një kohë kur distanca midis Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës është më e afërt se kurrë falë Rrugës së Kombit.

 Në kuadër të përmbushjes së parashikimeve ligjore, inkurajoj dy institucionet homologe, të bashkëpunojnë shumë ngushtë me të gjithë partnerët e vet rajonal, dhe ndërkombëtar, e posaçërisht me aktorët qe merren me implementimin e standardit për sundim të ligjit, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë dhe aksesit në drejtësi.”

Komisioni Shtetëror për Ndihmë Juridike, ushtron veprimtarinë e tij që prej vitit 2011 si organ i pavarur, përgjegjës për sigurimin e ndihmës juridike falas në lëmin e çështjeve civile, administrative, penale për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilëve u mohohet aksesi në drejtësi për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike ka shqyrtuar 27 çështje në vitin 2011, dhe 4 çështje në periudhën Janar-Maj të vitit 2012, të cilave u është akorduar ndihmë juridike. Të njëjtin mision ndan edhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas të Republikës së Kosovës, krijuar në vitin 2006, si i pari institucion në Evropën Juglindore. /Start/

                                                                                             2012-05-18 16:18
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›