Humb jetën brenda në kabinë elektricisti
Tiranë- Ka qenë duke punuar brenda një kabine elektrike, por ka humbur jetën si pasojë e rënies në kontakt me energjinë elektrike. Ngjarja ndodhi sot në Tiranë dhe u njoftua nga burimet zyrtare të policisë.
“Shtetasi Nazmi Liçi, 50-vjeç, lindur dhe banues në Shishtufinë është gjetur pa ndjenja brenda kabinës elektrike në zonën e tij dhe u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi dot të jetonte”- thanë burimet policore.
Sipas tyre, 50-vjeçari u dërgua në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por mjekët kanë sqaruar se ai ka mbërritur i vdekur dhe kështu i ka kaluar morgut për procedurat e nevojshme.
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor me synim për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarje. Nga grupi hetimor u konkludua se shkaku i vdekjes dyshohet të jetë nga kontakti me energjinë elektrike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.