E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Shqipëria, vend i lirive - meriton integrimin e saj në BE

06-10-2012 / Gazeta 55

Për herë të parë zhvillon punimet në Tiranë Asambleja Parlamentare e OSBE-së
 
Asambleja Parlamentare e OSBE-së për herë të parë në Tiranë për të zhvilluar sesionin e saj të vjeshtës, në përgjigje të ftesës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
Mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së, po marrin pjesë në takime të nivelit të lartë që përfshijnë një konferencë parlamentare me temë: “OSBE: Promotor i mirëqeverisjes dhe integrimit si bazë për stabilitetin dhe sigurinë”.
Kreu i asamblesë parlamentare të OSBE, Rikardo Migliori hapi punimet duke shprehur kënaqësinë që sheh një Shqipëri ndryshe, me liri fetare, demokratike Migliori tha se në fund asambleja do të nënshkruajë një marrëveshje për integrimin.
Migliori u kthye pas në kohë duke kujtuar Shqipërinë e diktaturës dhe sot një vend demokratik.
Më pas ai i bëri apel të pranishmëve të fokusohen tek të drejtat e njeriut, ndërsa i kujtoi si detyrim ODIHR-it, të shmangë burokracitë.
 Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, falë së cilës Asambleja e Parlamentare e OSBE-së, zhvilloi sesionin e Vjeshtës në Tiranë, theksoi në fjalën e saj përshëndetëse se Shqipëria është vendi i lirive dhe se e meriton integrimin. “Faleminderit që pranuat kërkesën e kuvendit të Shqipërisë që ky sesion të mbahet në Tiranë. Do isha e gëzuar të shihnit bregdetin tonë, mbi të gjitha jam e lumtur që 200 parlamentarë nga bota jeni këtu për 100-vjetorin e pavarësisë sonë. Dikur dukej e pamundur për ne që liria funksionon. Dhe ne jemi shembull konkret. Plot me sfida por i kemi kapërcyer. Shqiptarët si një ndër popujt me histori mijëravjeçare punuan për projektin e ëndrrës së tyre të madhe. Për disa Shqipëria është vend i pazbuluar, të dashur kolegë unë ju ftoj të zbulojnë Shqipërinë, ejani dhe zbuloni një vend të vogël, ejani dhe provoni mikpritjen shqiptare, ejani shikoni si funksionon liria, se shqiptarët janë evropianë dhe duan të pranohen në këtë komunitet”, tha kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
 
Kryeministri Sali Berisha
Gjatë fjalës së tij në çeljen e punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, kryeministri Sali Berisha tha se organizimi i këtij sesioni në vendin tonë, përbën një perlë në kurorën e 100-vjetorit të pavarësisë. Ndërsa shprehu respektin e tij për punën e Asamblesë së OSBE-së, kreu i qeverisë tha se OSBE mbetet një partner i shkëlqyer për vendin tonë. Kryeministri garantoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje të plotë me standardet e OSBE-së. Më tej kryeministri bëri një tablo të përpjekjeve të Shqipërisë për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara. Ai tha se vendi ka ende një rrugë të gjatë e të vështirë për të bërë, por theksoi se qeveria mbetet e vendosur të bëjë gjithçka për të përshpejtuar ritmet e zhvillimit të vendit.
 
Sekretari i Përgjithshëm i AP të OSBE, Lamberto Zannier
Lamberto Zannier, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në fjalën e mbajtur në sesionin e vjeshtës së kësaj Asambleje, Zannier vlerësoi misionin e OSBE-së në Tiranë, si dhe bashkëpunimin me autoritetet shqiptare. Duke iu referua proceseve të ardhshme zgjedhore në disa vende si Ukrainë, Mal i Zi, SHBA, etj, ai veçoi rëndësinë e zgjedhjeve në Ukrainë, si vend që vitin e ardhshëm do të kryesojë AP të OSBE-së. “Zgjedhjet e ardhshme në Ukrainë janë shumë të rëndësishme dhe rezultati i tyre do të vendosë një gur themeli për kryesimin nga ky vend të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Misioni vëzhgues i OSBE-së do të jetë më i madhi në historinë e organizatës dhe do të jetë një detyrë shumë e rëndësishme”, theksoi më tej Lamberto Zannier.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›