E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia e mbijeteses

Te marten ne Prishtine u shfaq nje cope Shqiperi, te cilen nje pjese e madhe e njerezve ne Kosove nuk kane mundur ta njohin. Nuk e kane njohur as brezat pas viteve '90, si ne Tirane ashtu dhe ne Prishtine. Ndersa ne, qe shenuam vitin e fundit universitar ne Shqiperi ndersa regjimi komunist shembej, pothuajse e kishim harruar. Filmi i fundit i Gjergj Xhuvanit, "Lindje-Perendim-Lindje", ne premieren e tij ne Pri Film Fest, solli pikerisht ate periudhe qe do te shenjonte per nje kohe te gjate formimin e nje gjenerate te tere dhe qe shoqeroi per vite me radhe imazhin e shqiptareve ne Europe. Kinemaja e Xhuvanit, te marten ne mbremje ne Prishtine, ishte hapesira tronditese ku u mbyllem te gjithe per te perjetuar te kaluaren tone dhe per te kuptuar ku jemi sot.

Filmi "Lindje-Perendim-Lindje" arrin t'u rrefeje atyre qe nuk e kane njohur, nje Shqiperi ne castet e saj me te coroditura, kur e braktisur nga kontrolli shteteror dhe e pakuptuar nga mentaliteti perendimor, ajo humbi. Mbeti rrugeve, u end neper Europe, ne aventurat me te pabesueshme, shpeshhere tragjike e shpeshhere absurde deri ne komedi. Eshte nje nga momentet me delikate, kur pas 50 vjet izolimi ndodhi perplasja e pare e papritur dhe e menjehershme me Perendimin. Nje perballje tronditese, e mbushur me zhgenjime, drama, histori te pabesueshme njerezore qe do te ndikonin ne menyre te padiskutueshme ne formimin e individit post-komunist shqiptar. Gjithe kjo drame njerezore, kjo dendesi ngjarjesh ne nje kohe te shkurter, mungon ose thuajse ka deshtuar te rijetohet ne artin shqiptar. Duke dashur te merren me tema universale, te medha, historike apo duke dashur te trajtojne ngjarje te thjeshta nepermjet mesazheve te komplikuara filozofike, artistet shqiptare ne pergjithesi, por kineastet ne vecanti, e kane shmangur, ose me keq akoma, e kane bastarduar nje prej periudhave me tronditese te tranzicionit shqiptar.

Regjisori Gjergj Xhuvani eshte nga te paktet, ne mos ndoshta i vetmi, qe ne 18- 19 vitet e fundit pas renies se komunizmit ne Shqiperi, ka vizatuar me mire dy periudha te tjera kyce per shqiptaret. Komunizmin me filmin "Parrullat" dhe luften e dyte boterore me "I dashur armik". E ka bere thjesht, me dialoge ta pakomplikuar, ku dallon sinqeriteti i personazheve dhe absurdi i kohes. Histori te zakonshme njerezore ne Shqiperine e atyre koheve, por qe ne thelb jane pak a shume fati yne i perbashket, jane historia dhe filozofia e vete jetes sone.

Filmi i fundit i Xhuvanit kerkon te vizatoje, me te njejtin stil dhe thjeshtesi te bukur, nje periudhe te trete. Eshte historia e nje ekipi ciklistesh prej pese vetash dhe trajnerit te tyre, qe ne grahmat e fundit te regjimit komunist u caktuan nga partia ta perfaqesonin shtetin shqiptar ne nje kompeticion ne France. Nje fat i rralle per cdo njeri ne ate kohe. Pas peripecive perpara nisjes, grupi niset me nje anije mallrash per ne Itali nga ku do te duhej ta merrte rrugen per ne France.

Gjate qendrimit ne Itali, ata shohin ne lajmet e televizionit italian se ne Shqiperi njerezit e revoltuar nga shtypja dhe varferia kane shperthyer dyert e ambasadave perendimore duke kerkuar strehim. Kaosi politik ben qe ambasada shqiptare ne Itali t'i shkepuse lidhjet me ekipin e ciklisteve. Ata nuk mund te udhetojne drejt Frances, nuk kane mundesi te qendrojne ne Itali, por nuk mund te kthehen dot as ne Shqiperi, sepse udhetimet me anije jane nderprere. Ciklistet e Xhuvanit, ashtu si Tom Hanks ne "Terminalin" e Spielbergut, mbeten te ngecur ne kurth, as ne Perendim dhe as ne vendin e tyre. Nis keshtu per ta nje aventure e pabesueshme (per ata qe nuk e kane perjetuar realisht ate periudhe), kthimi me bicikleta nga Trieste nepermjet Jugosllavise se asaj kohe per ne Tirane. Nje kthim absurd drejt nje vendi te shkrete ku te gjithe duan te ikin.

Pavaresisht se ky fiction-udhetim vendoset ne nje kontekst te caktuar, ai i ka brenda mijera e mijera udhetime te ngjashme te shqiptareve ne te gjitha drejtimet. Ai ka brenda udhetimin tim dhe te Blendi Fevziut drejt Italise, ku te mbetur pa te holla dhe pa mundesi kthimi ne Tirane, u detyruam te kalojme naten nen kolonat e Vatikanit, ne marsin e ftohte te vitit 1991. Ka udhetimin e Andi Bejtes qe u nis me nje kamion te rastit e pastaj vazhdoi ne kembe per te kaluar kufirin me Greqine. Ka qindra histori te tjera te brezit tim, ku shoke te mi, djem dhe vajza, braktisen vitin e fundit te studimeve dhe moren anijet drejt Italise ne nje aventure qe mund t'i conte drejt vdekjes.

Fati i ciklisteve te Xhuvanit, pavaresisht se nga ishin nisur e ku shkonin, lidh gjitha perpjekjet e nje gjenerate per te gjetur fatin e saj ne perballjet me mbijetesen, kampet, policine, vizat e falsifikuara, betejen me nje bote re, ne te cilen nuk gjeten dot vend lehte sic mendonin, por u desh te benin luftera nga me te pabesueshmet. Shume prej tyre ia dolen, sot jane personazhe te njohura ne Shqiperi dhe gjetke, por kjo periudhe sigurisht qe i ka shenjuar njehere e pergjithmone. Une e rijetova dhe njehere ate ne filmin e Xhuvanit. Ashtu sic ka ndodhur, te vertete, pa sterhollime dhe metafora te sofistikuara. Aty ishte historia e pese djemve dhe njekohesisht historia e nje brezi.

Ne sallen e Teatrit Kombetar te Kosoves, shume njerez mbeten te habitur me ate pjese te Shqiperise qe perjetuan ne film. Nuk e kishin njohur. Ajo nuk eshte as Shqiperia e luftes, as Shqiperia e Enver Hoxhes, as Shqiperia e sotme. Ajo eshte Shqiperia e mbijeteses, per te cilen fatkeqesisht dihet shume pak, jo vetem ne Kosove, por edhe tek te rinjte ne Shqiperi, te cilet duhet ta njohin ate. Ajo eshte historia e prinderve te tyre, qe cdo dite urojne me vete qe ata te mos e jetojne kurre ate. Ata duhet ta njohin per te mos harruar se nga jane nisur dhe se sa e rendesishme eshte te mberrijne diku. Filmat si ky i Gjergj Xhuvanit jane shenjat e rralla ne kete rruge. Te cmueshem ne thjeshtesine e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›