E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia e mbyll me barazim aventuren ne Europianin 2012

TIRANE-Kombëtarja shqiptare e ka mbyllur me një barazim 1-1 ndaj Rumanisë aventurën në Europianin 2012, një edicion që do të mbahet mend për një nisje të mirë dhe një mbyllje zhgënjyese. Ndeshja në “Qemal Stafa” ka qenë më e mirë se paraqitjet e fundit të kuqezinjve, por sërish fitorja ka munguar. Rumunët edhe pse nuk dukeshin aq të shqetësuar për rezultatin, kanë dalë të pamposhtur nga kjo sfidë, ndonëse nuk kanë bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme në fushë.
Për Shqipërinë, ky barazim i jep fund një serie humbjesh që zgjaste prej 4 ndeshjesh, ndërsa nota më pozitive u shkon të rinjve si Roshi, Bakaj apo Lilaj, që kanë treguar se mund të bëjnë gjëra të mira edhe me fanelën kuqezi. Ndeshja nisi me një Shqipëri luftarake, ndonëse në stadium këtë herë ka patur pak tifozë për ta mbështetur. Në minutën e 24-t, Hamdi Salihi kaloi kombëtaren shqiptare në avantazh, pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Elis Bakaj. Shkodrani u shkëput bukur me kokë, duke lënë të shtangur rumunët. Vetëm pak minuta më vonë, Salihi pati një rast të artë për të dyfishuar shifrat, por edhe pse me portën e boshatisur, e dërgoi topin jashtë. Rumunët e nisën më mirë pjesën e dytë, duke parë më shumë nga porta e Ujkanit dhe duke krijuar disa momente të rrezikshme. Por, edhe këtë herë ka qenë një gabim në vendosjen e mbrojtjes që ka sjellë golin e barazimit. 13 minuta para fundit, pas një goditje këndi, Lukin u gjend i vetëm me portën e boshatisur dhe nuk e pati të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Në minutat e mbetura, Kuzhe ka tentuar gjithçka dhe dy-tre momente të rrezikshme u krijuan, por pa rezultat. Për t’u theksuar edhe një moment acarimi i tifozëve, që hodhën në fushë tymuese e fishekzjarre dhe që çuan në ndërprerjen e ndeshjes për dy minuta.
Ndërkaq, në kohën shtesë, Januzi pësoi një shtyrje në zonë, por për arbitrin nuk ishte penallti. Takimi u mbyll në shifrat 1-1, një barazim që e çon Shqipërinë në kuotën e 9 pikëve pas 10 ndeshjesh. Në shumë aspekte, edicioni mund të quhet i dështuar, me vetëm 2 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje dhe sërish në vendin e pestë në klasifikimin e grupit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›