E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Kosova mbështet BE, dialogu teknik me Serbinë vazhdon

PRISHTINË-Kosova është në unison të plotë me BE-në që dialogu për çështje teknike me Serbinë të mbetet i tillë, tha sot zv/kryeministrja Edita Tahiri pas takimit me ndërmjetësin evropian, Robert Cooper, i cili pas qëndrimit fundjavën e kaluar në Beograd, ka takuar në Prishtinë dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, tha se në takim me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper, kishin biseduar për përgatitjen e raundit të ardhshëm të dialogut teknik.
"Ne u pajtuam që dialogu të vazhdojë për çështjet që kanë mbetur pa u trajtuar në raundin e kaluar, i cili dështoi për fajin e palës serbe, e cila insistoi që tema politike të shtrohen në këtë dialog. Unë mund t’u konfirmoj se kemi pajtim të plotë me Bashkimin Evropian se ky dialog është vetëm për çështje teknike dhe do të mbetet i tillë në vazhdimësi, dhe pavarësisht deklaratave dhe zhurmave që ka bërë Beogradi këto ditë, ky dialog do të trajtojë vetëm çështje praktike", u shpreh Tahiri.
Sipas saj, për raundin e ardhshëm të dialogut teknik Kosovë-Serbi, që sipas radhës duhet të jetë i shtati, do të diskutohen katër tema.
"Tema e parë dhe më e rëndësishmja është çështja e implementimit të pesë marrëveshjeve të arritura, ku njëra prej tyre tashmë po implementohet, ajo për tregtinë e lirë dhe vulat doganore", tha ajo.
Po ashtu, shtoi Tahiri, sot në takimin me Cooper u morëm vesh që implementimi i marrëveshjeve të tjera të ketë një kornizë kohore.

"Ne kërkuam që kjo kornizë të jetë e përcaktuar me një afat të tillë që i jep rast BE-së që të testojë implementimin, si dhe në mesin e dhjetorit kur pritet të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për përparimin e vendeve drejt BE-së, ata të kenë parasysh rezultatet dhe performancën e të dyja palëve", theksoi zv/kryeministrja Tahiri.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›