Prishtina: “Po” dialogut me Beogradin – çështjet e sovranitetit nuk diskutohen me fqinjët

Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun për çështje teknike me Serbinë, konfirmoi shefja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri. Pas një takimi që zhvilloi me ndërmjetësuesin e BE-së në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Kuper, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se e ka njoftuar zyrtarin e BE-së me pozicionin e Prishtinës kundër futjes së temave politike në agjendën e bisedimeve. Ajo tha se edhe ndërmjetësuesi Kuper është pajtuar që bisedimet nuk mund të përfshijnë temat e kërkuara nga Serbia, për diskutimin e gjetjes së zgjidhjeve në pikat doganore 1 dhe 31, në veri të Kosovës. “Në bisedat në Beograd, Kuper sërish është ballafaquar me kërkesën e palës serbe që çështja e pikave doganore të shtrohet në kuadër të dialogut teknik. Për këtë kërkesë, qëndrimi i BE-së ka qenë refuzues. Pra, është refuzuar që kjo çështje të shtrohet në kuadër të dialogut. Në këtë pikë, ne pajtohemi me BE-në se për çështjet e sovranitetit shtetëror, nuk bisedojmë me shtetin fqinj”, tha Tahiri.
I dërguari i Bashkimit Evropian për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper, nuk është prononcuar për media. Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, kërkoi që Kosova të shpërblehet nga Bashkimi Evropian me liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet kontraktuale me BE-në, për rolin e saj konstruktiv në këto bisedime.
Ndonëse Tahiri tha se dialogu për çështje teknike do të vazhdojë, sipas saj, ende nuk dihet data kur mund të mbahet raundi i ardhshëm i bisedimeve.