Shqipëria e rrezikuar nga hepatiti B, ka prekur 8% të popullsisë
Mjekët infeksionistë japin alarmin për sëmundjet infektive, siç janë edhe hepatitet, duke kërkuar që popullata të jetë e vëmendshme për këto probleme, sidomos gjatë stinës së verës, kohë në të cilën rreziku i përhapjes së tyre është edhe më i madh. Sipas mjekëve infeksionistë, Shqipëria konsiderohet një vend me prevalencë të lartë të sëmundjeve infektive, ashtu si dhe vende të tjera të rajonit, por një problem i rëndësishëm i shëndetit publik është hepatiti B, i cili llogaritet të ketë prekur rreth 8% të popullsisë. Çdo vit në vendin tonë zbulohen rreth 700 pacientë të rinj të prekur nga hepatiti B, ose verdhëza.
Në fakt, këto janë vetëm shifrat zyrtare të përhapjes së hepatitit B, pasi ekzistojnë mjaft raste kur sëmundja nuk është diagnostikuar, për shkak edhe të shfaqjes së heshtur të saj për disa kohë, sikurse ka edhe raste kur nuk shkohet te mjeku përkatës për këtë problem. Mjeku infeksionist pranë Spitalit Infektiv në QSUT, njëherësh edhe kryetari i Shoqatës së Infektivologjisë, Arjan Harxhi, shprehet se sot vihen re modele të reja të shfaqjes së këtyre sëmundjeve. “Shqipëria mbetet një vend me ngarkesë të lartë të hepatitit B. Ajo që vihet re në Shqipëri, por edhe në rajon dhe në botë, janë modelet e reja të shfaqjes së sëmundjeve, që ne i quajmë emergjente si dhe rimergjente. Pra, është e rëndësishme që sistemi ynë të jetë alert për këto infeksione. Siç është rasti i infeksioneve që vijnë nga kafshët ose i sëmundjeve që vijnë si pasojë e shfaqjes së shtameve rezistente, si pasojë e keqmenaxhimit të përdorimit të antibiotikëve”, - shprehet infeksionisti Arjan Harxhi. Sëmundjet infektive më të përhapura në vend janë ato që lidhen me rrugët gastro-intensinale dhe sëmundjet që vijnë nga kafshët, si bruceloza dhe leshmanjoza. Kryetari i Shoqatës së Infektivologjisë, Arjan Harxhi, ka folur rreth këtyre sëmundjeve, duke dhënë dhe këshillat përkatëse. “Përmenda infeksione që vijnë nga kafshët, si bruceloza, leshmanjoza. Tani po futemi në sezonin e nxehtë, ku ka një shfaqje të këtyre çrregullimeve. Mbajtja pastër e ambientit, përpunimi në mënyrë sa më korrekt dhe të pastër të ushqimeve dhe ruajtja e tyre, moskonsumimi i ushqimeve që janë të ndenjura, ruajtja nga mizat dhe rehidrimi sa më i mirë, pra pirja sa më shumë ujë të pastër”, - tha Harxhi. Duke marrë shkas nga kjo situatë, së fundmi ka nisur vaksinimi i të rriturve, kryesisht adoleshentëve, grupeve të riskut dhe bluzave të bardha, por efektet e kësaj fushate priten në një kohë të mëvonshme. Ditën e djeshme, Shoqata Shqiptare e Infektivologjisë ka organizuar një konferencë kombëtare për sëmundjet infektive. Në këtë konferencë mjekë dhe profesorë të njohur për sëmundjet infektive, shqiptarë dhe nga vende të rajonit, kanë diskutuar lidhur me modelet e reja të sëmundjeve infektive, si për shembull rasti i incefalitit të rëndë të virusit të “Nilit Perëndimor”, i cili ende nuk qarkullon në vendin tonë. I pranishëm në konferencë edhe si mjek i kësaj fushe, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka insistuar në edukimin e vazhdueshëm të mjekëve. Sipas kreut të Shëndetësisë, çdo mjek duhet të jetë pak infeksionist, në mënyrë të veçantë në Shqipëri, sepse kontakti me këtë lloj problematike nuk përzgjedh nga niveli primar në atë terciar, çka do të thotë se mjekët, duke filluar që nga ata të qendrave shëndetësore, duhet të jenë të aftë t’i kapin këto sëmundje që në fazat e para të tyre, kohë në të cilën edhe shanset për t’u kuruar janë më të mëdha.