E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi me shtretër nuk plotëson nevojat e të sëmurëve

Spitalet nuk kanë shtretër të mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e të sëmurëve.

Ndërkohë që kujdesi paliativ nuk duhet të tregohet vetëm kundrejt të prekurve nga tumoret, por dhe për pacientë me sëmundje të rënda kronike. Ndaj me rritjen e numrit të të sëmurëve është kthyer në domosdoshmëri ngritja e një rrjeti shërbimesh paliative në rang vendi. Kjo, sipas drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, është dhe kërkesë e OBSH-së. Për këtë arsye po ngrihet një grup pune për të zgjeruar strukturat e këtij lloji. “Ministria e Shëndetësisë e ka të përfshirë në strategjinë e saj hapjen e qendrave të kujdesit paliativ në të 12 spitalet rajonale. Pra, do kemi qendra jo me shumë shtretër, me 8 apo 10 shtretër, por me ekipe të trajnuara, të motivuara, që duhet të kenë vetëm mjekë, sepse duhet të kuptojmë që trajtimi paliativ nuk do të thotë vetëm onkologë apo mjekë që merren me kancerin, por është multidimensional”, - thotë Pipero. I vetmi shërbim i këtij lloji publik për të sëmurët me kancer funksionon në Tiranë dhe drejtori i këtij shërbimi, Herik Zotaj, sqaron se mungesa e kapaciteteve të stafit ka bërë që jo të gjithë personave në stade të avancuara të kancerit t’u jepet ndihma e nevojshme. “Diku rreth 700-800 prej tyre ndiqen nga këto dy shërbime, ne si strukturë publike dhe Raderi si OJQ dhe pjesa tjetër mbeten zbuluar, për t’u ndjekur nga një shërbim i specializuar profesional”, - thotë Zotaj. Disa javë më parë në vendin tonë është mbajtur dhe kongresi i parë mesdhetar për kancerin, ku dhe ekspertë të huaj tërhoqën vëmendje se në Shqipëri nuk i është dhënë rëndësia e duhur shërbimit paliativ, i cili është një kujdes më pak i dhimbshëm për personat që janë në fazat e fundit të sëmundjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›