E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria edhe pas 2014-s në Afganistan

 Operacioni në Afganistan ka marrë vëmendjen kryesore të diskutimeve të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Kryefjala e diskutimeve ka qenë nëse mund të ketë tërheqje më të shpejtë nga Afganistani se sa afati që ka përcaktuar NATO, i cili është fundi i vitit 2014.

Në përfundim NATO konfirmon se, periudha e tranzicionit të përgjegjësisë së sigurisë nga forcat e NATO-s te forcat afgane do të vazhdojë edhe pas vitit 2014, ku roli i NATO-s do të përqendrohet në trajnimin e forcave afgane, por pa përjashtuar krejtësisht edhe operacionet e luftimit.

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Arian Starova, i pranishëm në këtë ministerial të NATO-s, ka theksuar se, Shqipëria do të vazhdojë të jetë përkrah aleatëve të saj derisa të jetë e nevojshme.

“Shqipëria ka deklaruar, jo sot, por dhe më parë, se do të qëndrojë në Afganistan për sa kohë do të jetë nevojë e misionit të NATO-s. Kjo do të thotë që Shqipëria do të qëndrojë jo vetëm deri në 2014, por dhe përtej, në formën e duhur. Aktualisht, Shqipëria ka rreth 350 trupa, të cilat janë të përfshirë dhe në luftime dhe në detyra të tjera ushtarake, por kanë filluar dhe në misione trajnimi, apo stërvitje të trupave afgane”, ka theksuar Starova. Sipas tij, do të rritet pesha specifike e trajnimeve që do të bëjnë instruktorët shqiptarë të policisë dhe ushtrisë dhe do të ulet më pak pjesëmarrja me kontribute thjesht ushtarake. /Start/

                                                                                             2012-02-04 17:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›