Shqipëria, ekonomi “stabël” - rritja ekonomike mbi 3 %
Raporti vjetor i “Standard and Poor’s”, njërës nga agjencitë më të rëndësishme të vlerësimit të ekonomive të ndryshme, ka konfirmuar vlerësimin “B+” për ekonominë shqiptare, një tregues që konfirmon qëndresën e saj, përballë presioneve të krizës globale
Kompania prestigjioze e vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, Standard and Poor’s (S&P) rikonfirmon vlerësimin B+ dhe këndvështrimin e saj afatmesëm si “stabël” për Shqipërinë në raportin e saj vjetor.
Vlerësimi nga Standard and Poor’s për Shqipërinë u dha në datën 18 qershor dhe përfshin periudhën e një viti të plotë. Shqipëria është futur në hartën e shteteve të cilat vlerësohen nga kompanitë ndërkombëtare, në vitin 2007.
Kompania e vlerësimit të riskut analizon situatën ekonomike të rajonit dhe më gjerë, duke theksuar se ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria ka demonstruar një rritje të qëndrueshme ekonomike.
Agjencia Botërore e vlerësimit, Standard and Poor’s parashikon se këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet 1.5 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm, parashikon që kjo rritje të arrijë deri në 3 për qind.
Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompania vlerëson veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe për të ulur gradualisht nivelin e borxhit publik.
S&P vlerëson më tej dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar si likuid, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. S&P vlerëson po ashtu reformat e qeverisë, si dhe inkurajon atë të vijojë më tej me reformat.
Ky vlerësim vjen në një kohë kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo minimalisht me përkeqësim të këndvështrimit të prospekteve afatmesme të tyre nga “stabël” në “negative”.
Në një prononcim për mediat, zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda tha të martën se kompania Standard and Poor’s (S&P) rikonfirmon vlerësimin e njëjtë për Shqipërinë B+ si dhe këndvështrimin afatmesëm si “stabël” për ekonominë shqiptare. Sipas tij, kjo konfirmon pozitivitetin me të cilin tregjet dhe agjencitë ndërkombëtare shohin ekonominë shqiptare.
Sipas Haldedës, vlerësimi i pandryshuar i besueshmërinë së shtetit shqiptare dhe ekonomisë vendase i faturohet kryesisht reformave pro biznesit dhe inevstitorëve që janë ndërmarrë në vitet e fundit nga qeveria.
Vlerësimet pozitive të Standard and Poor’s, janë të njëjtat me të tilla vlerësime të bëra publike në fund të vitit 2011.
Së bashku edhe me Moody’s, Standard and Poor’s certifikonin në ditët e fundit ët vitit që shkoi, stabilitetin e Shqipërisë. Pas një investigimi të hollësishëm, të dyja kompanitë e vlerësimit jepnin nota pozitive për ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë, duke konfirmuar jo vetëm rritje ekonomike, por edhe duke garantuar stabilitet edhe për reformat e pritshme.
Duke bërë prezentë vlerësimet e tyre për ekonominë shqiptare, në të dy raportet e tyre, kompanitë rikonfirmonin vlerësimin e tyre të njëjtë për Shqipërinë (B1 nga Moody’s dhe B+ nga S&P), si dhe këndvështrimin e tyre afatmesëm si “stabël” për ekonominë shqiptare. Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompanitë në vlerësonin në fundvitin që shkoi edhe potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal me uljen në nivelin e 3 për qindëshit të deficitit, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik. Moody’s dhe S&P vlerësonin edhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar si likuid, i mirë kapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave.