E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrenjtohen ahërbimet noteriale, sot çmimet e reja

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Luis Tanushi

Ministria e Drejtësisë ka ndryshuar tarifat e shërbimeve noteriale, aplikimi i të cilave do të fillojë nga dita e sotme. Pas dhjetë vjetësh, ministri Eduard Halimi ka shfuqizuar urdhrin e mëparshëm nr.96/1, prot., datë 23.1.2001 i Ministrit të Drejtësisë Për miratimin e tarifave të reja të shërbimeve noteriale,  Duke miratuar listën e re të tarifave. Sipas tabelës, qytetarët do të jenë të detyruar që të paguajnë më shpejt për marrjen e shërbimeve nga zyrat noteriale për transaksionet e larta siç mund të jenë shitjet e shtëpive apo të apartamenteve. Ulje kanë pësuar shërbimet më të zakonshme siç janë noterizimi i dokumenteve që kërkohen për qëllime studimi apo për vende pune, të cilat do të kushtojnë 100 lekë më lirë. Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se ndryshimi i tarifave të reja ka ardhur si pasojë e rritjes së shërbimit nga zyrat noteriale. Sipas tyre, tashmë që noteri do të merret me procesin e plotë të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, edhe tarifat noteriale do të jenë më të larta. Vërtetim përkthimi, vërtetimi njësisë me origjinalin dhe noterizimi i deklaratave për asistencë ose papunësi do të kushtojnë vetëm 200 lekë. Tarifa më e lartë janë ato që lidhen me kompanitë tregtare, ku shkëmbimi i transaksioneve është edhe më i lartë. Për shitjen e pasurive të paluajtshme dhe për transaksionet e pasurive të paluajtshme, shuma që do të paguajë qytetari do të jenë në varësi të vlerës. Kështu, për kalim pasurie të paluajtshme për shitje ose për dhurim  me vlerë nga 100 mijë 6 milion lekë, qytetarët do të paguajnë  0.35 për qind të kësaj shume. Në çdo rast, nëse çmimi në kontratën e shitjes do të jetë më i ulët se çmimi i referencës i përcaktuar për atë zonë, tarifa do të llogaritet në bazë të çmimit të referencës. Edhe përqindja  që duhet të paguajnë qytetarët në arkat e noterëve për transaksionet financiare do të varet nga shuma. Për shumat deri në 1 milion lekë, do të paguhen 3 mijë lekë ndërsa për shumat nga 1 milion gjer në 5 milion 2,5 mijë lekë. Për të gjithë transaksionet financiare mbi 5 milionë lekë, tarifat noteriale do të jenë 2,3 mijë lekë.

Tarifat e shërbimeve noteriale

Ndryshimet në tarifat e shërbimeve noteriale duket se kanë lënë të kënaqur edhe noterët. Këta të fundit prej kohës i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë që të ndryshonte tarifat të cilat kanë qenë të fiksuara prej dhjetë vjetësh.

Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale paguhet një tarifë e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale. Këshilli i Ministrave, kur e sheh të arsyeshme, mund t’i liberalizojë këto tarifa. Burimi i financimeve të veprimtarisë noteriale janë të ardhurat në të holla që merr noteri për kryerjen e akteve e të veprimtarive noteriale. Të ardhurat që burojnë nga veprimtaria noteriale e noterit, pasi paguhen taksat dhe detyrimet e tjera që parashikon ligji, kalojnë në pronësi të noterit. Kur personi fizik nuk është në gjendje të përballojë shpërblimin e shpenzimet që kërkohen për kryerjen e veprimeve noteriale mund të përjashtohet nga pagimi i tyre tërësisht ose pjesërisht nga vetë noteri, ose me vendim të këshillit të dhomës së noterëve. Noteri, në lidhje me të gjitha fushat e përmendura, kujdeset drejtpërdrejt për trajtimin fiskal që ka të bëjë me taksat e akteve, duke gjetur për secilin lloj taksimin e drejtë më të ultë për të gjithë subjektet në akte (shitës, blerës, shoqëri etj).

 

 

 

Mimoza Sadushi

Mimoza Sadushi

Kryetarja e Dhomës së Noterisë

 

Rritje të tarifave vetëm për transaksionet e mëdha

 

Kryetarja e Dhomës së Noterisë, Mimoza Sadushi, shpjegon arsyet e ndryshimit të tarifave të reja noteriale të cilat qytetarët do ti paguajnë nga dita e sotme. Në një intervistë për Shekullin, kryetarja Sadushi thekson se ndryshimet e reja kanë ardhur si pasojë e ndryshimit të çmimeve të tjera gjatë dhjetë viteve të fundit. Krahasuar me tarifat e mëparshme, rritje sipas kryetares Sadushi, kanë pësuar vetëm transaksionet që kapin vlera të mëdha që lidhen dhe me ndryshimet në procesin e hipotekimit të pasurive të paluajtshme. Kryetarja e Dhomës së Noterisë shprehet se shërbimet e thjeshta, siç janë vërtetimet, kanë pësuar një ulje.

 

Si kanë ndryshuar tarifat noteriale krahasuar me listën e vjetër të çmimeve?

Duhet pasur parasysh që ndryshimet e tarifave janë bërë pas një diskutimi të gjatë midis Dhomës së Noterëve dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pas një kërkese që i ishte bërë kësaj ministrie, meqë tarifat kanë vite që nuk janë ndryshuar. Kanë ndryshuar të gjitha çmimet, ndërsa tarifat e noterëve kanë mbetur të njëjta që në kohën kur ministër ka qenë z.Spiro Peçi. Në ndryshimet e këtyre tarifave janë marrë parasysh qëndrimi në tarifat aktuale apo uljen e disa tarifave që janë gjithmonë në shërbim të qytetarëve të thjeshtë që kanë të bëjnë me shërbimet e thjeshta, siç janë lëshimet e deklaratave personale, apo deklaratave për të pastrehët të cilat janë ulur, apo veprime të tjera si noterizimi i dokumenteve. Ka qenë 300 lekë dhe është bërë 200 lekë dhe disa tarifa të tjera. Ndryshime ka pasur edhe në tarifa përsa i përket transaksioneve. Duke qenë që noteri do ju ofrojë qytetarëve një shërbim për transaksionet nga fillimi deri në fund, që do të përfundohet nga noteri gjithë transaksioni dhe kërkon një shërbim shumë më të mirë dhe të saktë, këtu janë bërë disa lëvizje, gjithmonë duke pasur parasysh shumat e transaksioneve. Për transaksionet që janë në shuma të ulëta , është ulur tarifa në krahasim me tarifën e mëparshme. Duke pasur parasysh faktin që qytetari që blen një pasuri me vlera të larta kuptohet që duhet të paguajë shumë më tepër sepse  edhe noteri do ti ofrojë më shumë garanci. Në përcaktimin e këtyre tarifave janë marrë parasysh dhe modelet europiane në caktimin e tarifave.

Pas ndryshimeve dhe në ligjin për noterët, këta të fundit do të kenë mundësi që të merren me transaksionet për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Sa e përballueshme është një procedurë e tillë ?

Noterët do e përballojnë atë veprimtari, por tani noterët do të jenë më komod në kryerjen e këtij shërbimi. Në Zyrën e  Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme tashmë do të paraqiten vetëm noterët , në një kohë që deri dje ishte më e vështirë sepse paraqiteshin edhe noterët edhe qytetarët  edhe mbanin radhë të gjatë. Do të sjellë një shërbim  shumë më të saktë edhe një veprimtari më komode për noterin dhe punonjësit e Zyrës së Regjistrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›