“Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e BE”
Ministria e Brendshme u kundërpërgjigjet sulmeve politike të PS-së, për mungesë sigurie në vend
TIRANE - Duke hedhur poshtë deklaratat e selisë së Partisë Socialiste për mungesë sigurie në vend, zëdhënësi i Ministria e Brendshme thekson se qeveria shqiptare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, për sa i takon nivelit të sigurisë kanë aleatin e tyre më të fortë qytetarin shqiptar, i cili ndihet sot më i sigurt se kurrë më parë në jetën e tij të përditshme.
Zëdhënësi i kësaj ministrie Fatmir Konja, solli në vëmendje se me ardhjen qeverisë demokratike në pushtet u bë i mundur asgjësimi i rreth 300 grupeve të krimit të organizuar dhe arrestimi i rreth 1 000 anëtarëve të këtyre bandave.
“Sot Shqipëria është në nivele më të ulëta kriminaliteti se edhe vetë vendet e Bashkimit Evropian. Sot janë mbi 300 persona të inkriminuar të ekstraduar nga vende të ndryshme që janë dërguar në dyert e drejtësisë shqiptare. Gjatë viteve të qeverisjes së kësaj qeverie janë zbuluar rreth 900 ngjarje të vjetra, autorët e të cilave ishin “larguar në drejtim të paditur” gjatë viteve të qeverisjes socialiste. Sot strukturat e zbatimit të ligjit brenda një kohe rekord zbulojnë deri në 95 % të ngjarjeve kriminale. Gjatë viteve të kësaj qeverisjeje nuk ka humbur jetën as edhe një punonjës i vetëm policie, përkundrejt 180 punonjësve të policisë të vrarë gjatë viteve të qeverisjes socialiste. Sot rrugët dhe territoret e vendit tonë janë pjesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve, përkundër kontrollit të perandorisë së krimit që sundoi gjatë viteve të qeverisjes socialiste”, nënvizoi zëdhënësi Konja.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, “Pikërisht për shkak të këtyre ndryshimeve të mëdha, kjo qeveri ka sot aleat më të madh qytetarin shqiptar”.